Partia Demokratike ka dorëzuar sot në SPAK kallëzimin për inceneratorët ndaj kryeministrit Edi Rama, ndaj Arben Ahmetajt, ish-ministër i Financave, Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit dhe Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, si dhe dy shtetasve të tjerë, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Kallëzimi është bërë për veprat penale: “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, si dhe “Krijimin e grupit të strukturuar kriminal”, ndërsa kërkohet pezullimi i ushtrimit të detyrës publike ndaj këtyre personave.

“Ka 3 vjet që pothuajse bëhen denoncime të përditshme, pa folur për media që kanë nxjerrë skandale pas skandalesh. Pse duhet të presim SPAK apo çdo institucion tjetër një denoncim formal. Ka 3 vjet që një gjë e tillë po ulërinë në shoqërinë shqiptare. Denoncimet janë dytësore sa i përket procedurës”, u shpreh Çlirim Gjata pas dorëzimit të kallëzimit.

Ndërkohë, Jorida Tabaku theksoi se e gjitha qeveria dhe bashkia është kthyer në funksion të këtij inceneratori.

“Edi Rama me Arben Ahmetajn, Erion Veliajn, e shumëzuan me zero investimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe filluan incenerimin e mbetjeve sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i vidhnin qytetarëve 430 milionë euro për Tiranën. E gjitha qeveria dhe bashkia është kthyer në funksion të këtij inceneratori. Kanë krijuar një biznes me persona të identifikuar për pastrim parash në Itali të lidhur me Ndrangheta-n. Ajo që është absurdi më i madh, Bashkia e Tiranës ka rritur tarifat me 30% për t’i krijuar punë, me atë buxhet që është me buxhetin e shtetit”.