Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim u takua me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Takimi mbërrin pas akuzave të Partisë Demokratike për manipulime të listave të zgjedhësve.

Kryediplomatja amerikane sqaroi se pikërisht listat e zgjedhësve ishte edhe kryetema e diskutimit mes saj dhe Lleshajt.

“Pata një bisedë shumë të mirë me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, mbi bashkëpunimin e fortë mes SHBA dhe Shqipërisë për sigurinë dhe shtetin ligjor. Diskutuam edhe për përgatitjet e zgjedhjeve, përfshirë këtu implementimin e identifikimit biometrik, ashtu siç është rënë dakord më 6 qershor. Më sqaroi edhe disa pyetje mbi regjistrimin e votuesve”, shkroi Kim.

Ambasadorja shfaqet e bindur nga argumentet e marra prej Lleshajt në lidhje me listën e zgjedhësve, ndërsa pret që ai të sqarojë edhe publikun përmes deklaratave televizive dhe përmes faqes zyrtare të Ministrisë së Brendshme.

“Pres sqarimin publik kur Lleshaj të shfaqet tek Sokol Balla (News24) sonte, plus publikimi i sqarimeve në faqen zyrtare të ministrisë, për të siguruar transparencë dhe ndërgjegjësim publik kundër keqinformimit”, mbyll reagimin e saj, Yuri Kim.