Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i kërkon Edi Ramës të bëjë transparencë për negociatat me Greqinë për kufirin detar.

“Edi Rama duhet të bëjë transparencë dhe të mos fshihet pas përbetimeve për kokë të babit. Shqiptarët e dinë që ai është gënjeshtar dhe nuk thotë kurrë të vërtetën. Sa herë kapet me presh në duar, ai nis sulmet ndaj opozitës dhe medias.

Paloka shkruan se Rama, pasi u fut në pazar për ndryshimin e kufijve të Kosovës, tani nuk bën asnjë transparencë për kufirin detar të Shqipërisë.

“Sot që s’ka as Gjykatë Kushtetuese, drejtësia dhe çdo pushtet tjetër është në dorën e këtij njeriu, i cili tani po shet kufijtë e vendit. Pasi u fut në pazar për ndryshimin e kufijve të Kosovës, tani nuk bën asnjë transparencë për kufirin detar të Shqipërisë. Ekspertët e fushës e kanë thënë qartë: Sipas ligjit ndërkombëtar, për shkak të pozicionit gjeografik të dy vendeve “ku përfshihen brigje përballë” delimitimi i detit ka specifika të veçanta, ndaj deklarimi i njëanshëm i njërës palë për zgjerimin me 12 milje nuk mund të aplikohet pa dakordesinë e palës tjetër. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë, pse po jep dakordesinë Edi Rama pa bërë transparencë, si dhe sa e prek kjo hapësirën detare shqiptare apo të drejtat e Shqipërisë?”