Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ka nisur sot protesta e pedagogëve e cila do zgjasë vetëm një orë. Ata kërkojnë nga qeveria rritjen e rrogave dhe mbështetje për kërkime shkencore.

Pedagogët paralajmërojnë qeverinë nuk do nisin procesin mësimor më 17 Tetor nëse nuk i plotësohen kërkesat e tyre.

Një nga pedagogët u shpreh se që prej 18 vitesh nuk u janë rritur pagat, ndërsa ka hedhur akuza ndaj qeverisë e cila u ka hequr projektet për shkak të korrupsionit.

“Po reagojmë për pagat më të larta, sepse përmirësojnë cilësinë e jetës. Ka 18 që nuk na rriten pagat. Studenti im në Universitetin në Kosovë që është pedagog merr dy herë rrogë më të lartë se unë. Që 20 vjet jemi përballur me mizerje qeverisje. Qeverisjet për shkak të korrupsionit dhe hajnisë ua hoqën projektet dhe ekspertizat universiteteve dhe ua dhanë militantëve. “- u shpreh pedagogu.

Ai i ka bërë një thirrje dhe Kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Arsimit Evis Kushi.

“I bëj thirrje Ramës dhe ministres së Arsimit ta shohin këtë me përparësi sepse i ka të gjitha mundësitë për të rritur pagat”- tha ai.

Ndërkohë është bërë e ditur se në orën 14:00 pedagogët do të zhvillojnë takim me Kushin.