Nga Grigor Jovani

Më kishin lënë një mesazh fonetik në telefonin e shtëpisë, nga Evangjelizmoi, spitali në qendër të qytetit, të cilin e kam frekuentuar edhe vetë si pacient disa herë.

“Numrin tuaj e gjetëm tek një bllok telefonash i zonjës Vaso Myrto, që e kishte me vete. Nuk e di ç’e keni, por ishte i nënvizuar dhe anash tij kishte vënë shënimin “Për rast nevoje”. Menduam t’u njoftojmë se është shtruar para një jave në spitalin tonë pas një hemoragjie celebrale, por ka disa ditë që ka rënë në koma. Një javë këtu nuk e ka vizituar njeri. Ndodhet tek klinika nevrologjike, në katin e katërt. Thamë t’ju telefonojmë, mbase interesoheni. Ju faleminderit!”

Qëlloi 25 mars, Dita Kombëtare. Mirëpo jeta në më të shumtën nuk është festë. Ka edhe nga këto, të papriturat shqetësuese, me të cilat duhet të përballohet njeriu. Edhe në ditë festash, kur të gjithë e kanë pushim dhe mendojnë për tryezën festive.

Nisem për tek Evangjelizmoi. Nuk e di ç’më tha në tru të pres autobuz. Preva gozhda një orë tek stacioni, marsi gjithmonë është një darë që shkurton gozhda dhe jetë plakash, për të bërë më në fund atë që duhej ta kisha menduar qysh në fillim: mora një taksi.

Mbërrij tek porta e jashtme e spitalit, ku përgjumet pas një kioskeje me xhama një punonjëse e shoqërisë së ruajtjes, me ato uniformat demode që kurrë nuk përshtaten pas trupit.

– Mirëdita! Për shumë vjet! Tek nevrologjiku…

Përton të flasë. Më bën shenjë me sy dhe me një anim majtas të kokës, në drejtim të portës: “Është e hapur”.

Klinikën e njoh, edhe unë këtu e kam kaluar hemoragjinë celebrale. Domethënë, jam si i shtëpisë. Njoh edhe kushtet brenda saj, të gjitha pothuajse janë të njejta me spitalet e tjera publike të shtetit. Përshembull, jastëku vihet poshtë çarçafit të shtruar, pasi mungojnë këllëfet. E kështu me rradhë.

Ngjitem në katin e katërt. Koridore të zbrazura. Asnjë bluzë e bardhë, për be. Shkoj pas një xhamarie të madhe në koridor, ku shkruhet “Informacione”. Askush atje dhe muret nuk mund të të japin asnjë informacion. Ç’pres dhe unë, ditë feste është. Doktorët dhe infermieret janë si autobuzët gjatë këtyre ditëve, gjysma e efektivit funksionon në detyrë.

Më në fund, vjen një infermiere, mesogrua, që i ka kilet e saj me tepricë dhe që gjithashtu përgjumet, si punonjësja e shoqërisë së ruajtjes në hyrje.

– Një orë pres, zonjë! Ju lutem shumë!

– Mos bëni kështu, zotëri, festë është… Nuk na qani hallin që burgosemi këtu! Në një ditë të tillë…

Po mua, kush do ma qajë, për kohën e humbur! Dreqi qepën ta hajë. Marr informacionin që më duhet, zonja Myrto është tek dhoma 406, si edhe njoftimin ngushëllues: “Pas pak do ta vizitojë edhe doktori”. Sa kohë qëndrova unë në dhomë, asnjë doktor nuk u duk. Në fakt, edhe doktorët njerëz janë, festë është, ndërsa kanë dhe ata familje. Por kaloi nga dhoma një infermiere tjetër, me kilet më të pakta se e mëparshmja dhe me një buzëgaz të ëmbël në fytyrë. Se edhe infermieret njerëz janë dhe kuptohet që disa ngjajnë më të mirë se të tjerët.

Infermierja rregullon lulet që solla unë tek komodina e të sëmurës së moshuar, e cila mban vazhdimisht sytë mbyllur dhe gjithmonë duke buzëqeshur, më thotë:

– E shkreta! Në fillim jepte shenja jete, pastaj humbi. Siç duket, pësoi goditje tjetër. Ra në koma. Ka kaq ditë këtu…

Ngrihem. Duhet të iki. Është festë dhe unë, si të gjithë, kam detyrimet e mia familjare. Edhe të rri më gjatë, me të sëmurën nuk mund të shkëmbej dot asnjë fjalë. Ngaqë në botën e saj nuk ka festë. E di nga dorë e parë. E kam vizituar dikur.

– Po ikni? Kaq shpejt?! – interesohet tani pa takt infermierja e tipit tra-la-la. – E shkreta! Kaq ditë nuk i ka ardhur njeri…

– Ja, i erdha unë, – i them. – I solla dhe lule. Të ndjejë pak festë.

– Ah, harrova t’ju pyes, në se lejohet, – u kujtua ndërkohë. – Ç’e keni ju, zonjën Myrto?

– Asgjë, nuk e njoh, hera e parë që e shikoj.

– Si?! Atëhere…

– Mora një mesazh në telefon. Kishte ardhur gabimisht tek unë. Thoshte që kaq kohë këtu nuk e ka vizituar njeri. Sot është festë. Mendova se në raste të tilla, njerëzit e vetmuar kanë më shumë nevojë për shoqëri.

Write to Erion Habilaj