Busti kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Korçë është përdhosur me një mbishkrim në bazamentin mbajtës.

Persona të paidentifikuar kanë shkruar me sprej (dhe gabime drejtshkrimore) në bazament: “Stop diktaturës masonike”.

Autoritetet nuk kanë mundur ende të pikasin autorët e këtij mbishkrimi, por kjo është vënë re ditën e sotme teksa shënohet 553-vjetori i vdekjes së Skënderbeut.

Busti i Skënderbeut në Korçë është i vendosur në sheshin përpara stadiumit. Ai është realizuar nga skulptori i njohur Piro Dollaku, i cili ka realizuar edhe monumentin e dëshmorëve në këtë qytet.