Një zyrtar i lartë i Kishës Katolike në SHBA ka dhënë dorëheqjen, pas akuzave se ai kishte përdorur aplikacionin “Grindr” për takime homoseksuale.

Gazeta katolike “The Pillar” pretendon se të dhënat që ka marrë në mënyrë anonime, tregojnë se zyrtari i kishës kishte vizituar bare homoseksuale dhe kishte përdorur aplikacionin për takime.

Imzot Jeffrey Burrill ishte sekretar i përgjithshëm i Konferencës së Peshkopëve Katolikë të SHBA-ve (USCCB).

Në një reagim, USCCB tha se i mori akuzat ndaj zyrtarit katolik seriozisht, por nuk kishte akuza për sjellje të keqe me të mitur.

“Në mënyrë që të mos krijohet shpërqendrim ndaj operacioneve dhe punës së vazhdueshme të konferencës, Imzot Burrill ka dhënë dorëheqjen, efektive menjëherë.”- thuhet në deklaratë, citon BBC.

Disa i kanë dalë në mbrojtje Burril-it, duke përfshirë një përfaqësues të aplikacionit, që e konsideroi shkrimin e “The Pillar” si “homofobik”.

Po ashtu edhe reverendi James Martin, i cili mbron përfshirjen LGBT në Kishën Katolike Romake, shprehu shqetësime mbi “spiunimin” që sipas tij po u bëhet njerëzve.

Ai tha se kushdo prift ose famulltar që t’i nënshtrohej një vëzhgimi të tillë në jetën e tyre private, përsëri do të kishte gjëra për të komentuar.

Ai shkroi në Twitter: “Kush, në fund të fundit, do të lihej në Kishë?”