Një diplomat iranian është dënuar me 20 vjet burg, për akuzën e organizimit të një sulmi me bombë në Francë gjatë një tubimi të grupimit opozitar të muxhahedinët.

Vendimi për 49 vjeçarin Assadollah Assadi, i cili punoi në ambasadën iraniane në Vjenë, u dha nga gjykata e Antwerp në Belgjikë.

Kjo është hera e parë që një zyrtar iranian përballet me akuza të tilla në Bashkimin Europian që nga revolucioni i vitit 1979. Për të njëjtën ngjarje u dënuan dhe tre persona të tjerë.

Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në tubimin e qershorit 2018 të muxhahedinëve jashtë Parisit, përfshirë avokatin e Donald Trump, Rudy Giuliani.

Vendimi vjen disa javë pasi Presidenti i SHBA Joe Biden mori detyrën, me Iranin që shpreson se ai do të kthejë disa nga sanksionet e vendosura nga paraardhësi i tij.