Trajneri i Kombëtares Shqiptare Edi Reja publikoi listën për ndeshjet e muajit tetor, teksa binte në sy mungesa e senatorëve kuqezi si Hysaj, Balaj, Cikalleshi e Roshi, të cilët duket se janë ndëshkuar për shkelje të disiplinës në grumbullimin e kaluar.

Në konferencën për shtyp para gazetarëve, tekniku 75-vjeçar mohoi t’i ketë lënë jashtë për ndëshkim këta futbollistë, ndërsa sqaroi se ka vendosur të sjellë shumë emra të rinj, të cilët tha se ka në plan t’i përfshijë gradualisht në formacionin e kuqezinjve.

Pse mungojnë emrat e disa senatorëve si Hysaj, Balaj, Cikalleshi e Roshi?

Hysajn e kam lënë jashtë për shkak të situatës së krijuar me Covid-19 te skuadra e Napolit, ndërsa për Roshin kam informacione që ka probleme dëmtimi. Cikalleshi nuk po kalon një moment të mirë dhe Balajn e njoh mirë, ndaj nuk kam çfarë t’i shoh. Bashkë me presidentin Duka kemi një plan për rinovimin e skuadrës dhe kemi afruar shumë futbollistë të rinj që janë nën moshën 21-vjeçare, të cilët duhet t’i përfshijmë gradualisht dhe t’i rritim, për t’i pasur gati për një periudhë 3-4 vjeçare. Kemi emra të rinj si Çepele, Broja, Çokaj, Kumbulla, etj., të cilët duhet t’i bëjmë gradualisht pjesë të formacionit. Kam grumbulluar 29 futbollistë, por të shohim se sa do na vijnë, pasi është pak situatë e komplikuar për shkak të pandemisë.

Keni pasur mundësinë të reflektoni mbi shkaqet e humbjes ndaj Lituanisë?

Është një problem që e has gjithmonë te Shqipëria, që pas një ndeshjeje të mirë dhe të fituar, skuadra e merr shumë lehtë takimin e radhës. Edhe ndaj Lituanisë pati shenja nënvlerësimi, ndonëse i kisha paralajmëruar të gjithë që nuk do të ishte e lehtë, pasi kundërshtari kishte një gjendje të mirë fizike. Kjo na ka ndodhur shpesh dhe po punojmë për të shmangur përsëritjen në të ardhmen.

Duket se ka shumë emra të rinj në listë…

Bëhet fjalë për futbollistë të talentuar, që nuk kanë eksperiencë, por kanë cilësi dhe dëshirë për të bërë mirë. Natyrisht që do të duhet kohë që ata të piqen e të rriten, por duam t’i inkuadrojmë gradualisht. Pres që të sillen si profesionistë dhe të punojnë me përulje e të pranojnë vendimet e trajnerit, si kur luajnë, ashtu edhe kur thjesht vijnë në grumbullim.

Cili është synimi për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve?

Do të jetë e vështirë të them synimin, por do të isha i kënaqur nëse do të fitonim njërën prej ndeshjeve dhe të mos humbisnim tjetrën, pra të merrnim të paktën 4 pikë dhe të ruanim pozitat tona në renditje. Megjithatë po na del problem menaxhimi i kënaqësisë pas një suksesi, pasi siç e thashë, kemi gabuar gjithmonë pas një ndeshje të mirë.

A e ka Reja një formacion titullarësh te Shqipëria?

Sigurisht që po, e kemi një 11-she dhe nuk është se ndryshojmë shumë. Kam marrë shumë emra të rinj edhe për t’i parë në miqësoren ndaj Armenisë, ndërsa sa i përket formacionit bazë, dua të përfshij gradualisht Kumbullën, që po bën shumë mirë në kampionatin italian, por që nuk ka pasur mundësinë të luajë me ne. Gjithashtu dua të shoh edhe Kamberin, që na ka munguar për arsye të ndryshme kohët e fundit, megjithatë e kemi një formacion tonin.

A ka ndryshuar objektivi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve?

Objektivat nuk kanë ndryshuar dhe ne jemi në pozita të njëjta në grup, ndaj nëse paraqitemi mirë, mund të dalim të parët. Jemi duke jetuar një moment të veçantë dhe nuk është e lehtë për një trajner përfaqësueseje që të ketë më të mirët. Shumë lojtarë nuk janë në formën më të mirë fizike, pasi kanë luajtur pak, ndërsa të tjerë nuk kanë mësuar ende të ardhmen e tyre dhe mezi presim që të mbyllet edhe merkatoja të hënën. Një situatë e ngjashme ëstë me manajn, që pret të lëvizë dhe ka luajtur shumë pak këto kohë, ndërsa këtë herë kemi marrë edhe disa emra të rinj. Është një moment ku shumë futbollistë kanë ndryshuar skuadër dhe këtu kam parasysh Baren, Cikalleshin, Kumbullën, Gjasulën, etj., dhe një pjesë e mirë e tyre kanë luajtur shumë pak në klubet e reja, ndaj duhet të shoh gjendjen e tyre. Ndryshe është situata te kundërshtarët tanë, pasi futbollistët e tyre luajnë në ligat përkatëse prej kohësh, janë titullarë dhe kanë një formë të mirë fizike, ndaj kjo e vështirëson punën. Është shumë e vështirë të gjesh lojtarë në formë të mirë në këtë periudhë të sezonit.

Kush do të jetë kapiteni në mungesë të Hysajt e Roshit? Pse mungon Cikalleshi, i cili ka luajtur në ndeshjet e fundit në kampionatin turk?

Në mungesë të Hysajt, kapiteni është Berisha. Më pas luan apo nuk luan edhe ky, nuk ka rëndësi, pasi është kapiteni dhe lideri gjatë grumbullimit, jo vetëm në fushë. Për Cikalleshin, mund të them që mund të jetë një kapiten në të ardhmen, pasi ka disa vite që luan dhe shoh që ka goxha ndikim në fushë. Sa i përket mungesës së Cikalleshit, e shpjegova edhe më parë, që nuk është në formë shumë të mirë dhe nëse do të vijojë të luajë rregullisht, do ta grumbulloj në ndeshjet e ardhshme.