Shumica socialiste po kërkon prej disa kohësh të ndryshojë në mënyrë të njëanshme modelin e koalicioneve zgjedhore, në një proces jo transparent dhe të paqartë për qytetarët.

Por çfarë pritet të ndryshohet dhe cilat pasojat e këtij ndryshimi?

Në emisionin e 30 shtatorit ‘Me pak fjalë’ në Euronews Albania, Neritan Sejamini shpjegoi se çfarë po ndodh me ndryshimet e Kodit Zgjedhor lidhur me koalicionet parazgjedhore.

Sipas modelit aktual të koalicioneve, partitë që marrin pjesë në zgjedhje kanë të drejtë të bëjnë lirisht koalicione zgjedhore mes tyre, pa asnjë lloj kufizimi.

Mjafton që ato të njoftojnë me një letër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe koaliconi quhet i formuar. Por pavarësisht se bëhen pjesë e një koalicioni, partitë garojnë njësoj sikur të mos ishin fare në koalicion.

Kështu ato garojnë prapë kundër njëra- tjetrës, secila me një listë të veçantë kandidatësh dhe në fletëvotim qytetarët votojnë vetëm partitë e jo koalicionet.

Kemi të bëjmë, pra, me një koalicion vetëm në emër, pa asnjë detyrim në praktikë.

Shumica socialiste ka vendosur ta zëvendësojë këtë model me lista të veçanta koalicionesh me një model me koalicione me listë të përbashkët kandidatësh.

Në këtë model të ri, partitë në koalicion duhet të garojnë me një listë të përbashkësht kandidatësh dhe të regjistrohen si subjekt i vetëm zgjedhor.

Pra, në këtë rast, qytetarët në fletëvotim votojnë vetëm koalicionin , dhe jo partitë e koalicionit, veç e veç.

Por përse shumica socialiste kërkon të ndryshojë formulën e koalicioneve parazgjedhore?

PS, e cila ka bërë të qartë disa herë se do të kandidojë e vetme në zgjedhje, gjendet përballë një koalicioni të madh opozitar, i cili me shumë gjasa ka më shumë vota se sa PS e vetme.

Por modeli aktual favorizon partitë që garojnë me koalicione dhe ndëshkon ato që garojnë më vete.

Ndaj për të mos humbur pushtetin, Edi Rama po ndryshon formulën e koalicioneve, të cilën e krijoi vetë në vitin 2008.

Me modelin aktual të koalicioneve parazgjedhore, partitë në koalicione parazgjedhore kanë favorin se mund të bashkojnë tepricat e votave me njëra-tjetrën, për të plotësuar votat që duhen për të marrë një deputet.

Le të marrim një shembull konkret:

Supozojmë se për një deputet duhen 105 vota:

Katër parti që garojnë në zgjedhje kanë arritur këto rezultate:

Partia A, garon më vete dhe ka marrë 100 vota.

Partitë B, C dhe D — të vilat janë në koalicion — kanë marrë 50, 40 dhe 15 vota.

Me këto rezultate, asnjë nga partitë nuk merr dot një deputet.

Partise A i mungojnë 5 vota, të tjerave shumë më tepër.

Por, partitë e koalicionit i bashkojnë votat e tyre dhe plotësojnë 105 votat që duhen për një deputet. Ky deputeti i jepet Partisë B, e cila ka më shumë vota se dy të tjerat në koalicion.

Pikërisht këtë skemë që favorizon partitë në koalicione parazgjedhore po mundohet të shmangë shumica socialiste.