Pas më shumë se 20 vjetësh, Lionel Messi dëshiron të largohet nga Barcelona, duke kërkuar zyrtarisht prishjen e kontratës me klubin e madh spanjoll. Një lajm bombë që po trazon gjithë futbollin europian. Argjentinasi kërkon të mbyllë kështu pas 20 vitesh aventurën si katalanas, ndërsa kurioziteti më i madh është se cila do të jetë skuadra e tij e ardhshme. Por çfarë ka ndodhur që numri 10 erdhi deri te ky vendim i papritur.

1. Nuk ka pasur afrimitet me këtë presidencë

Edhe pse flitet për marrëdhënie profesionale në futboll, Leo Messi kurrë nuk ka pasur ndonjë ndjenjë të veçantë për bordin e Bartomeu. Ka firmosur disa rinovime, por asnjëherë nuk e ka ndarë mënyrën e punës ose drejtimit të klubit, këto 5 vjet. Messi ka qëndruar këto sezonet e fundit nga dashuria për klubin, por çfarë ndodhi në Munich ka nevojë për një ndryshim rrënjësor.

2. Largimi i Valverde

Ylli argjentinas ka pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me trajnerët që kur debutoi më 2004: Rijkaard, Guardiola, Tata Martino, Tito, Luis Enrique (pavarësisht disa keqkuptimeve) dhe Valverde. Shkarkimi i këtij te fundit ishte goditje për të. Kësaj i duhet shtuar edhe vendimi i pashpjegueshëm për të emëruar Quique Setién, të cilin e ka diskredituar publikisht në disa raste.

3. Mosmarrëveshje totale me drejtuesit sportiv

Për vite me radhë, Leo ka qenë dëshmitar sesi menaxhimi i zonës sportive në klub ishte një fatkeqësi e vërtetë. Sezon pas sezoni planifikimi ka qenë katastrofik, blerje krejtësisht të gabuara, paratë e mbetura nga largimi i Neymar nuk mund të ishin investuar më keq. Me Éric Abidal, marrëdhënia nuk ka qenë e rrjedhshme. Ndjenja e argjentinasit është se drejtuesit aktualë po shkatërrojnë klubin dhe po zvogëlojnë konkurrencën në secilën dritare merkatoje.

4. Trajtimi ndaj Suárez dhe ngjarjet e fundit

Nëse Leo kishte qenë në dyshime për një pjesë të vogël të kohës, mbase i dyzuar nëse do të vazhdojë apo ndryshojë skenën në moshën 33-vjeçare, ngjarjet e fundit e kanë shpejtuar vendimin e tij. Humbja në Lisbonë kundër Bayernit ishte një goditje e tmerrshme, si për krenarinë e tij, ashtu edhe për gjendjen shpirtërore përpara këtij vendimi të rëndësishëm. Kjo, së bashku me fjalët e Bartomeu dhe format që janë ndjekur për t’i komunikuar Luis Suárez se nuk është më në planet e skuadrës, kanë precipituar gjithçka. Suárez është mbështetja e tij kryesore në dhomën e zhveshjes dhe një nga miqtë e tij më të mirë. Leo konsideron se ai meritonte shumë më tepër respekt për karrierën te Barça.

5. Nuk sheh projekt fitues dhe po i mbaron koha

Tashmë, kapiteni e kishte vendimin shumë të pjekur, por e vërteta është se priti trajnerin e ri, Ronald Koeman, të takohej me të për të dëgjuar propozimin për sezonin e ri. Messi nuk ishte i bindur aspak nga ajo që propozoi trajneri holandez dhe konsideron që, në moshën e tij, nëse dëshiron të vazhdojë të fitojë tituj dhe të qëndrojë në krye të futbollit, Barça nuk është alternativa më e mirë. Transferimet dhe lëvizjet nuk e bindin atë. Argjentinasi nuk sheh që Ronald mund të udhëheqë një projekt, që aspiron gjithçka.