Briken Calja shkruan historinë e peshëngritjes shqiptare. Sportisti nga Elbasani ka triumfuar në kategorinë 73 kilogramë për meshkuj në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes që mbahet në Uzbekistan.

Calja fitoi në stilin e shkëputjes, ku arriti të ngrejë 156 kilogramë, me mundësi të mëdha për të fituar edhe në dygarësh.

I pari garoi Erkand Qerimaj, i cili ngriti 150 kilogramë në provën e parë, por dështoi në të dytën për të çuar 153 kilogramë. E ngriti këtë peshë në të tretën, por zuri vendin e katërt, pas rusit Petrov, që kishte peshë trupore më të vogël se peshëngritësi ynë.

Briken Calja kaloi me sukses provën e parë, ai ngriti 152 kilogramë në shkëputje. Në të dytën ngriti 154 kilogramë dhe në të tretën 156 kilogramë, ndërsa rivali i tij, tajlandezi Jeram, gaboi në provën e fundit.

Përveç Caljes dhe Qerimajt, ka garuar në Botërorin e peshëngritjes edhe Evangjeli Veli, e cila zuri vend të katërt në shkëputje. Shoraj dhe Godelli janë dy peshëngritësit e tjerë të Shqipërisë në këtë aktivitet.

Calja ka fituar medalje të artë për Shqipërinë në stilin e shkëputjes në Botërorin që po zhvillohet në Uzbekistan.