Policia e Lezhës ka mundur të parandalojë një ngjarje të mundshme kriminale, duke vënë në pranga 3 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Në një deklaratë për mediat, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Oltion Bistri, tha se personat në fjalë dyshohet se do të vrisnin një person në Tiranë, për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Gjatë operacionit u sekuestruan mina me telekomandë, snajper e para.

2 personat e shpallur në kërkim janë Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka, të dy 31 vjeç. Ishin pikërisht ata që kishin planifikuar vrasjen. Policia thotë se ata janë të 2 me precedentë të theksuar kriminalë dhe të dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale. Sa i përket personave që përfunduan në pranga, ata kishin vënë në dispozicion shtëpinë dhe restorantin e familjes si bazë për armatimet. Ata janë çifti i bashkëshortëve Nikoll Marku dhe Marie Marku, si dhe dhëndri i tyre Mark Lamkja.

Ndërsa në një operacion të dytë të kryer po nga policia e Lezhës, u arrestua një person i katërt. Bëhet fjalë për një 24 vjeçar i cili u kap me mbi 20 kilogramë kanabis në makinë.