Për Kostandina Zanajn, 20-vjeçaren nga Berati që jetonte dhe studionte në Vlorë kjo e shtunë do të ishte hera e fundit që takonte ish të dashurin, por për Fadil Nikajn ndarja ishte e papranueshme.

Studentja shkoi në takim për t’i dhënë lamtumirën, ndërsa 30-vjeçari e priti i armatosur me një pistoletë dhe dy granata.

Të dy u takuan në një lokal, pranë poliklinikës në Vlorë, por në debat e sipër dëshmitarët thanë se Kostandina dhe 30-vjeçari Fadil Likaj nga Shkodra nisën të debatojnë me tone të larta.

Në acarim e sipër, Fadil Lika e ka tërhequr zvarrë vajzën në mes të lokalit dhe ka nxjerrë një pistoletë me të cilën e ka qëlluar në këmbë.

Pasi e ka plagosur, ka nxjerrë një granatë dhe e ka hedhur në lokal për të shpërthyer të gjithë vendin bashkë me njerëzit që ishin aty.

Fatmirësisht, granata nuk ka shpërthyer, ndërsa policët kanë qenë fare pranë lokalit dhe e kanë neutralizuar brenda pak minutash.

“Është marrë një telefonatë, që janë dëgjuar krisma me armë në afërsi të ambulancës në një lokal. Falë reagimit të shpejtë të strukturave të policisë, të forcave “Shqiponja”, edhe shërbime të policisë gjyqësore që kanë qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, është bërë e mundur neutralizimi i personit të dyshuar që ka qëlluar me armë zjarri. Është sekuestruar arma e zjarrit dhe personi është aktualisht i shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Kemi një person të dëmtuar, është një vajzë rreth moshës 23 vjeç që është jashtë rrezikut për jetën dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal të Vlorës”, tha Drejtori i Policisë Vlorës.

Kostandina Zanaj është dërguar në spital menjëherë pas tentativës për vrasje, ndërsa ish i dashuri i saj është shoqëruar në polici ku do të japë shpjegime për ngjarjen.