Vladimir Putin i ka thënë Presidentit të Finlandës se anëtarësimi në NATO është “gabim”, gjatë një bisede telefonike të dy krerëve të shteteve mëngjesin e së shtunës.

Sipas mediave ruse, Putin është shprehur: “Heqja dorë nga politika tradicionale e neutralitetit ushtarak është një gabim, pasi nuk ka asnjë kërcënim për sigurinë e Finlandës”.

Ndërkohë, sipas zyrës së shtypit të Presidencës finlandeze, biseda është zhvilluar e qetë: “Presidenti Niinistö e njoftoi Presidentin rus se Finlanda ka vendosur që të aplikojë për anëtarësim në NATO ditët në vijim. Duke iu bashkuar NATO-s, Finlanda forcon sigurinë e saj dhe merr përsipër përgjegjësitë”.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë rus kërcënoi se me armët bërthamore që disponon Rusia, mund ta “rrafshojë” Finlandën për 10 sekonda. Kreu i Komitetit të Mbrojtjes, Aleksey Zhuravlyov, i bëri këto deklarata disa ditë pasi Finlanda ka deklaruar se do të aplikojë për t’u bërë pjesë e NATO-s.