Pak minuta pas mesnatës së 19 nëntorit, një sasi lënde plasëse shpërtheu në një objekt turistik në ndërtimin nga kompania Amfora – në pronësi të biznesmenit Liman Gjoka, në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se autorët kanë hyre nga pjesa e bregut të detit duke e vendosur lëndën shpërthyese brenda objektit. Shpërthimi i fortë me lëndë plasëse tritol ka sjellë dëme materiale në disa kullona dhe mure të objektit në ndërtim. Në momentin e ngjarjes brenda kantierit të ndërtimit ka qenë vetëm roja, i cili nuk është lënduar dhe sapo ka dëgjuar shpërthimin ka njoftuar policinë.

Me datë 11 dhjetor kantieri i kompanisë Amfora është sulmuar për një herë të dytë me eksploziv.

Për këto ngjarje kriminale për të cilat polica dyshon se vijnë si rrjedhojë i konflikteve të mbivendosura të pronësisë në zonën e turistike të Shëngjinit, Prokuroria e Lezhës ka urdhëruar arrestimin e 21-vjeçarit Erald Pajtani, banues në fshatin Larushk të Krujës. Arrestimi i Pajtanit është realizuar me 31 dhjetor si pjesë e operacionit policor të koduar “Eksplozivi’.

Ky operacion është koordinuar Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë dhe Komisariati i Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Pajtani akuzohet për veprat penale “shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “prishja e qetësisë publike”, “mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “kanosje”.

Të hënën, pasi ka vlerësuar provat e paraqitura nga organi i akuzës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë e ka cilësuar arrestimin e Pajtani si të ligjshëm dhe ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se i riu nga Larushku i Krujës nuk ka folur në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij.

Biznesmeni Liman Gjoka po ndërton në Shëngjin një hotel dhe apartamente për shitje në bregun e detit të Ranës së Hedhun. Kjo zonë turistike mjaft e lakmuar është kthyer në kantier ndërtimi gjatë dy viteve të fundit, pas miratimit të planit strategjik të zhvillimit të saj.

Zona e Ranës së Hedhun ka qenë gjithashtu shpesh në qendër të hetimeve të Prokurorisë për tjetërsim të paligjshëm të pronave.

Në shtator 2020, ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kreu i Këshillit të Qarkut Gjok Ndoka, u dënuan me 4 vjet burg, ndërsa gjykata gjeti fajtorë edhe 15 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë m2 tokë në bregdetin e kësaj zone turistike. Të pandehurit e kanë apeluar vendimine gjykatës.

Në dëshminë e tij të dhënë në polici, biznesmeni Liman Gjoka ka deklaruar se pronën ku po ndërton e ka blerë shumë vite më parë dhe se nuk ka asnjë konflikt që mund të motivojë sulmin ndaj tij ose kompanisë.

Por pavarësisht deklarimeve të sipërmarrësit, pistat kryesore e hetimit të policisë kanë qenë ajo e konflikteve të pronësisë, por hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarjet mund të kenë ardhur edhe për shkak të konkurrencës në sektorin e ndërtimit.

BIRN mësoi se identifikimi i Pajtanit u bë i mundur falë identifikimit të makinës së përdorur nga autorët e ngjarjes pas këqyrjes së kamerave të sigurisë së një biznesi. Makina e autorëve të dyshuar të sulmit rezulton se e ishte marrë me qira tek një servis nga Pajtani.

Nga hetimet rezulton se 21-vjeçari nuk ka ndonjë konflikt me biznesmenin Liman Gjoka, por ka dyshime se ai mund jetë paguar për të kryer sulmin me tritol. Pajtani dyshohet të ketë bashkëpunuar dhe me persona të tjerë për vendosjen e lëndës plasëse dhe vijon puna hetimore për identifikimin e tyre.