Njëri nga autorët e dyshuar, po gjykohet edhe për ngjarjen e 4 Tetorit 2018 në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha

Policia e Shkodrës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 3 autorët e dyshuar të cilët tentuan të vrisnin sot me armë 30-vjeçarin Taulant Pepaj në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës. Sipas informacioneve policore, ata janë Esmeraldo Hato, Sehar Xhenje dhe vëllai i tij. Grupi hetimor i ka identifikuar ata përmes kamerave të sigurisë kur qëlluan me armë makinën në lëvizje të Taulant Pepajt.

Sipas informacioneve, mësohet se 3 të dyshuarit dhe 30-vjeçari Pepaj kanë qenë në të njëjtin burg kohë më parë dhe kanë patur një konflikt brenda qelive.

Pasi e qëlluan me armë, Esmeraldo Hato, Sehar Xhenje dhe vëllai i tij u larguan me dy makina, një Mercedes-Benz dhe një Jaguar. Ata janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.

Ndërkohë, Esmeraldo Hato, që njihet edhe me identitetin tjetër Eljon Hato, është i akuzuar edhe për ngjarjen e 4 Tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha. Për këtë çështje ai po gjykohet në gjendje të lirë nga Gjykata Penale e Tiranës.

Nga atentati i sotëm, Taulant Pepaj mundi t’u shpëtonte plumbave. Taulant Pepaj është emër i njohur për Policinë e Shkodrës. Në vitin 2017 Pepaj ka plagosur me armë zjarri një 22-vjeçar. Ai është arrestuar disa muaj pas ngjarjes, por më pas ka fituar lirinë.