Deputeti i PS-së, Bashkim Fino është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, pas betejës së humbur me Covid-19.

Për ish-kryeministrin e Shqipërisë gjatë periudhës 9 Mars 1997 deri më 29 Qershor 1997, kanë qenë të shumta reagimet dhe fjalët ngushëlluese nga kolegët tij.

Kryeministri Rama ka qenë i pari që nëpërmjet një postimi në Facebook, ka shprehur hidhërimin për humbjen e Finos.

Rama: E pabesueshme, ditë zie për PS-në

I pari që reagoi ishte kryeministri Edi Rama. Të pabesueshëm e konsideron ai këtë lajm ndërsa thotë se fatkeqësisht është i vërtetë. E hëna është një ditë zie për socialistët, ndërkohë që Rama thotë se në nderim të tij do të anulohen të gjitha aktivitetet elektorale në radhët e PS-së.

“E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë! Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur”, tha Rama.

Meta: Vdekja e Bashkim Finos, dhimbje që na ka lënë pa fjalë

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për këtë lajm të hidhur dhe thotë se ndarja nga jeta e Bashkim Finos është një dhimbje që i ka lënë të gjithë pa fjalë.

“Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes. Dhimbje e madhe, që na ka lënë pa fjalë! Ngushëllimet më të ndjera, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona”, shkruan Meta.

Basha: Fino, zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit të vendit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të Bashkim Finos, pas ndarjes së tij nga jeta. Basha shkruan në rrjetet sociale se kontributi i Finos në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit.

“Me trishtim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit, ish-ministrit dhe ish-deputetit Bashkim Fino. Jam i bindur se kontributi i Bashkim Finos në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Fino dhe gjithë të dashurve të tij. U prehtë në paqe”, shkruan Basha.

Ruçi: Bashkimi i doli zot atdheut në një moment të rëndë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të deputetit Bashkim Fino

“Sot u nda nga jeta kolegu ynë, Bashkim Fino. Bashkimi humbi betejën për jetën duke na shkaktuar të gjithëve, familjes, kolegëve, miqve, një humbje të pazëvendësueshme. Bashkim Fino ishte një ndër njerëzit më të mirë të Shqipërisë, politikan, kryetar bashkie, deputet dhe ministër ndër më të shquarit. Shërbeu me devotshmëri për disa legjislatura si deputet i qarkut Fier dhe fitoi besimin dhe dashurinë e të gjithëve. Bashkimi i doli zot atdheut si Kryeministër në një kohë të rëndë dhe shërbeu si shtetar dhe patriot gjatë periudhës më të vështirë të tranzicionit. Ishte vëllai, kolegu dhe miku ynë, buzëqeshja e të cilit nuk do të na ndahet përjetë. Lamtumirë, Bashkim, vëllai ynë i dashur dhe i paharruar!”, shkruan në mesazhin e ngushëllimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Veliaj për humbjen e Finos: Burrë babaxhan e socialist i çmuar

Nëpërmjet një postimi në Facebook kryebashkiaku Erion Veliaj e përshkroi Finon si një burrë babaxhan e të mirë dhe një socialist të çmuar.

“Mëngjes fort i trishtë ky, pas ikjes së një burri babaxhan e të mirë, një socialist i çmuar, si Bashkim Fino. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë që, në një nga çastet më të vështira të vendit, ai u gjend aty, me urtësinë e tij! Prehu në paqe mik i dashur”, shkruan Veliaj.

“Dy shokë klase”, reagimi i Kodhelit për ndarjen nga jeta të Bashkim Finos

E trishtuar për këtë lajm të hidhur është shprehur në rrjetet sociale edhe ish-ministrja dhe deputetja socialiste Mimi Kodheli. Ajo ka shpërndarë një foto të vjetër me Finon ku të dy kanë qenë në një klasë.

“Ja ku jemi të dy, shokë të një klase fakulteti. Mbetëm deri sot të tillë, por jam e sigurt do takohemi sërish. Lamtumirë shok i kohërave të vjetra e moderne, mik i ditëve të mira e të vështira, Bashkim Fino. Do na mungosh të gjithëve, por më shumë Dianës së dashur. Lamtumirë e shihemi në kohë më të mira!”, shkruan Kodheli.

Nishani i pikëlluar: Fino, një njeri me vlera

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka ngushëlluar familjarët dhe të afërmit e Bashkim Finos. Edhe pse kundërshtarë politikë me njëri-tjetrin, Nishani shprehet se Fino ka pasur vlera njerëzore dhe dëshirë për të kontribuuar për vendin.

“Ngushëllimet më të ndjera familjes, të arfërmve dhe miqve të ish-Kryeministrit Bashkim Fino! Pavarësisht pozicioneve dhe projekteve të ndryshme politike që i përkasim, vlera njerëzore dhe dimensioni i dëshirës për të kontribuar për shtetin, për vendin, për Shqipërinë tonë, janë parimet më sublime. Kur këto parime humbasin dikë, të gjithë ndihemi të pikëlluar.  Pusho në paqe tashmë, Bashkim”, shkruan Nishani.

Xhaçka: Fino, i papërsëritshëm. La një boshllëk që nuk zëvendësohet

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka shkruar në rrjetet sociale se humbja e Bashkim Finos ka lënë një boshllëk që nuk zëvendësohet nga askush tjetër.

“Ka disa njerëz, disa miq të mirë, që kur ikin lënë pas një boshllëk aq të madh, që nuk zëvendësohen e nuk ua zë dot kurrë dikush tjetër vendin që kishin, sepse ishin të papërsëritshëm. I tillë ishte për mua Baçi, një mik i mirë, simbol i mirësisë e kujdesit për njerëzit, i fjalës dhe i humorit, që do të na mungojë aq shumë. U prehsh në paqe e qofsh i parajsës miku im! Mungesa jote është e pazëvendësueshme”, shkruan Xhaçka.

Balla: Na preve krahët o Bashkim, PS-ja humbi vëllain e dashur

“Kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, kolegu e miku ynë i mirë Bashkim Fino u nda sot nga ne. Familja jonë e madhe socialiste humbi vëllain, kontribuesin, deputetin tonë, sa të veçantë aq edhe shumë të dashur. Na preve krahët o Bashkimi ynë i dashur! U prehsh në paqe! I paharruar do jesh gjithmonë”, shkruan Balla.

Manastirliu: Fino nuk i kursente këshillat e mençura, drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira

“E trishtuar nga lajmi i ndarjes nga jeta të mikut dhe kolegut, Bashkim Fino. Do të më mungojnë bisedat gjatë pushimeve në seancat e Kuvendit, ku nuk i kursente asnjëherë këshillat e mençura. Krenare që kam ndarë një copë udhë në politikë me njeriun, i cili drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira të historisë së 30 viteve të fundit. U prehsh në paqe, mik”, shkruan ministrja.