Sipas një studimi të 2 milionë rasteve me Covid-19 u zbulua se efektet anësore mund të vazhdojnë për muaj me radhë.

Të dhënat nga studimi tregojnë se miliona amerikanë janë rikuperuar nga Covid-19 që prej marsit të kaluar, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Por një numër i pa treguar i atyre pacientëve kanë vuajtur pasojat e koronavirusit deri në disa javë ose muaj pasi u sëmurën për herë të parë. Në një analizë të 2 milionë pacientëve me COVID-19, më e madhja e këtij lloji deri më tani i kryer nga organizata jofitimprurëse “FAIR Health” shpjegon se 23.2% e pacientëve, të cilët kishin kaluar koronavirusin kërkuan trajtim për të paktën “një prej simptomave të Covid-19”, një muaj ose më shumë pasi janë shëruar.

Të dhënat treguan se simptomat më të shpeshta të raportuara në të gjitha moshat ishin dhimbje trupi, vështirësi në frymëmarrje, lodhja dhe hipertensioni, dhimbje koke, rrahje larta zemre dhe depresion ose ankth.

Një studim i njëjtë është kryer edhe në Britaninë e madhe dhe ka konstatuar se kjo gjendje po bëhet gjithnjë e më e rëndë për popullatën. Studimi i quajtur “React”, që përfshinte gjysmë milioni të rritur në Angli, zbuloi se një e treta e njerëzve ndiheshin keq për 12 javë ose më shumë dhe lodhja ishte një nga simptomat më të zakonshme.

“Shumë nga pacientët e mi me simptoma post-Covid thonë se mjekët e tyre të kujdesit parësor nuk i konsideruan simptomat parësore, gjë kjo që ia përkeqësoi atyre akoma më shumë gjendjen”, tha mjekja imunologe Laurie Jacobs, e cila ishte pjesëmarrëse në studimin e “FAIR Health”.

Të dhënat tek të dy raportet kanë treguar se shumica e pasojave ishin më të zakonshme tek gratë, ndërsa tek burrat dalloheshin tre simptoma kryesore që ishin afatgjata, si presioni i lartë i gjakut, vështirësi në frymëmarrje dhe mpiksja e gjakut. Gjithashtu, u konstatua se shumica e pacientëve janë të rritur të grup moshës 19-59 vjeç.