Ftesa e Edi Ramës ndaj rivalit të tij politik duket më konkrete se kurrë. Me nisjen e sesionit parlamentar që shënon edhe kthimin e demokratëve në sallë, një seri institucionesh të rëndësishme kanë nevojë për votën e deputetëve për zgjedhjen e titullarëve, duke krijuar kështu një terren që dy krerët e politikës të gjejnë gjuhën e përbashkët, duke nisur nga karrigia e kreut të shtetit.

Mandati i Ilir Metës tashmë është në dorë të Gjykatës Kushtetuese por edhe me përfundimin e tij natyral, Presidenti i ri duhet zgjedhur pranverën e ardhshme.

Një post tjetër i rëndësishëm është edhe ai i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Gent Sejko përfundon mandatin shtatë vjeçar në shkurt të vitit 2022 dhe karrigia e kreut të Bankës është një pozicion tepër i lakmuar për të cilin mund të tentohet darkotësia bi-partizane.

Marrëveshja e 17 majit 2017 përfundon zyrtarisht efektet pas pak muajsh. Avokatja e Popullit është titullarja e insitucionit që u zgjodh pas dorështrëngimit Rama-Basha.

Qëndrimi i saj për një mandat të dytë apo zëvendësimi mund të kalojë përsëri përmes dakortësisë politike mazhorancë-opozitë.

Organet e dala nga reforma në drejtësi do të kenë gjithashtu vakancat e para që duhen plotësuar para dimrit.

Dy pozicioneve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë që zgjidhen nga Kuvendi, përfshirë edhe atë të kryetarit, Gent Ibrahimi, u mbarojnë mandatet në dhjetor.

Edhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor krijohen dy vakanca, për të cilat do të duhet një konsesus PS-PD për të miratuar anëtarët, ose në të kundërt do të përdoret mekanizmi zhbllokues.