Gati dy muaj larg zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, organizata “Qëndresa Qytetare” publikoi një analizë mbi efikasitetin e premtimeve dhe politikave të miratuara nga qeveria në vitet 2013-2021 për arsimin dhe rininë, duke monitoruar veçanërisht premtimet në Paktin për Universitetin dhe Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë.

Sipas analizës së publikuar nga “Qëndresa Qytetare”, pjesa dërrmuese e premtimeve të qeverisë ose kanë mbetur në letër, ose janë realizuar pjesërisht.

“Në 4 vite u ndërtuan vetëm shtatë shkolla, megjithëse u premtuan 140. Ushqimi u premtua për të gjitha shkollat, por ofrohet vetëm për 5 shkolla,” thuhet në raport.

Qëndresa Qytetare është një organizatë e fokusuar në çështjet e arsimit dhe rinisë, e cila monitoron prej 4 vitesh politikat qeveritare duke adresuar shqetësimet e komunitetit të të rinjve dhe studentëve në Shqipëri. Analiza e organizatës “Qëndresa Qytetare” vjen si një bilanc i premtimeve dhe politikave të zbatuara në fushën e arsimit dhe rinisë përgjatë dy mandateve qeverisëse të kabinetit të kryesuar nga kryeministri Edi Rama.

Analiza e “Qëndresa Qytetare” i klasifikon premtimet në tre kategori; “të mbajtura”, “pjesërisht të mbajtura” apo “të pambajtura”.

Nga monitorimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë rezultojnë se kanë mbetur në letër një sërë premtimesh, të tilla si krijimi i portalit të karrierës për të rinjtë, krijimi i bordit rinor këshillimor pranë ministrisë përkatëse, krijimi i fondit mbështetës për të rinjtë, i premtuar me një fond fillestar prej 10 milionë lekësh si dhe pajisja e klasave me tableta interaktive multimediale.

“Një ndër objektivat e Planit të Veprimit për Rininë ka qenë ndërtimi dhe fuqizimi i Portalit Rinia.al brenda vitit 2015 – 2017 me informacione periodike dhe të përditësuara mbi legjislacionin e punësimit, tregun e punës, skemat mbështetëse për sipërmarrjet rinore etj. Sot ky portal nuk ekziston megjithëse ka qenë i parashikuar së bashku me buxhetin përkatës 442.000 lekë,

Analiza e konsideron gjithashtu të dështuar premtimin për 120 klasat dixhitale, ndonëse në vitin 2014 u mori një kredi prej 3.5 milionë eurosh për këtë qëllim.

“Ky projekt rezultoi i dështuar dhe viti 2020,kur këto klasa mund të shërbenin për të lehtësuar efektet e pandemisë e gjeti Shqipërinë me 0 klasa dixhitale,” shkruhet në raport.

Sa i përket Paktit për Universitetin, analiza e “Qëndresa Qytetare” thekson si premtime të pambajtura mungesën e vetingut në universitete si dhe mungesën e një strategjie kombëtare për Arsimin e Lartë.

“Vetingu në universitete, procesi që përfshin kontrollin e ligjshmërisë së titujve akademikë, kurrikulave universitare, pasurisë së drejtuesve të universiteteve dhe plagjiaturave në tekstet shkencore duhet të jetë kryfjalë e çdo program politik,” thekson analiza.

“Qëndresa Qytetare” i konsideron të pambajtura ose pjesërisht të mbajtura premtimet gjatë fushatave elektorale të viteve 2013 dhe 2017 për arsimin dhe rininë dhe u bën apel partive politike që të mos zhgëjejnë në të ardhmen.

“Arsimi është një nga shtyllat e shtetit dhepartitë politikeduhet të jenë të kujdesshme me premtimet e tyre për të mos zhgënjyer elektoratin dhe për të mos mbetur në letër, siç kanë mbetur ato të vitit 2013 apo 2015…,”thuhet në analizë.