Me variantin Delta që po përhapet me shpejtësi dhe rritjen e rasteve të reja ditore, presidenti Joe Biden ka një thirrje për ata që ende nuk janë vaksinuar. “Nëse jeni vaksinuar, nuk keni nevojë për t’u shtruar në spital. Nuk do të shkoni në spital dhe nuk do të vdisni”, tha Biden.

Saktësisht 6 muaj nga inaugurimi i tij si kreu i Shtëpisë së Bardhë dhe me një listë të gjatë sfidash përpara përveçse Covid-19, Biden iu përgjigj pyetjeve nga salla e improvizuar e CNN në Sinsinati ,Ohajo. Ky është shteti ku Biden humbi në zgjedhjet e nëntorit të shkuar, ndërsa në zgjedhjet e mesit të mandatit për në Kongres do të përcaktohet qartazi nëse demokratët do të arrijnë të ruajnë shumicën në senat pas vitit 2022.

Vota e të mërkurës në Senat tregoi më së miri sesa e rëndësishme është balanca e pushtetit për agjendën e Biden. Republikanët në Senat bllokuan me votë debatin për paketën 1,3 trilionë dollarë që do të shkojnë për infrastrukturën. Paketa, është një nga prioritetet e Shtëpisë së Bardhë, kryesisht pas shqetësimeve rreth rimëkëmbjes së ekonomisë pas pandemisë. “Jo vetëm do të shtojë vendete punës por do të rrisë tregtinë. Ndaj është një gjë e mirë dhe mendoj se do të duhet ta kalojmë”, tha presidenti.

Për Biden, projektet e infrastrukturës, që do të shkojnë për rrugë e ura, janë thelbësore. Ai kërkon nga Kongresi që të kalojë buxhetin 3,5 trilionë dollarë, që do të shkojë kryesisht për ndryshimet klimatike dhe pagesa sociale. “Ju do ta çoni Kongresin në kaos dhe asgjë nuk do të bëhet, së paku s’do të bëhet siç duhet. Por na duhet të bëjmë shumë punë. Më e rëndësishmja është vota e duhur”, tha Biden.

Demokratët nuk mund të bëjnë asnjë lëvizje në senat, për shkak të mazhorancës shumë të brishtë që kanë.