Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, është shprehur se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të lejohen të bashkohen me Bashkimin Evropian. Sassoli tha se zgjerim i Bashkimit Evropian është një projekt pozitiv që promovon paqen dhe prosperitetin.

“Zgjerimi mund të sjellë përfitime të mëdha për rajonin dhe Evropën në tërësi dhe ndihmon për të siguruar një kontinent të qëndrueshëm, të prosperuar dhe paqësor“, ka qenë kjo deklarata e presidentit të PE.

Më tej politikani i lartë i unionit tha se shpejtësia e integrimit do të varet nga kriteret që vendet e Ballkanit Perëndimor do të plotësojnë.

“Këto vende ende duhet të zbatojnë reformat. BE duhet të mbajë premtimet e saj dhe të njohë përparimin e bërë“, shtoi ai.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vendet që presin përgjigjen nga BE për hapjen e negociatave. Një ditë më parë Kryeministri Edi Rama në një intervistë për median gjermane pritjen e gjatë nga BE e krahasoi me librin “Duke pritur Godonë”.