Presidenti Ilir Meta dekoroi para pak ditësh me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” pesë peshëngritës të spikatur me kontribute të rëndësishme në këtë sport, që, pa hezitim, mund të themi se për ne shqiptarët, historikisht, deri më sot, rezulton edhe sporti më i suksesshëm ndërkombëtarisht. Përveç të mirënjohurit Esat Ademi, katër peshëngritësit e tjerë (Vehap Xhindoli, Ilir Çela, Endri Haxhihyseni dhe Gert Trasha) janë bashkëqytetarë të mi nga Elbasani. Me të katër kam pasur fatin të njihem dhe, dy të parët, t’i kem shokë e miq shumë të afërt. Madje, për vlerat e veçanta në fushën e sportit (dhe jo vetëm) të Vehap Xhindollit dhe Ilir Çelës kam pasur rastin të shpreh përshtypjet e mia në ndonjë nga shkrimet e pakta për sportin dhe sportistët e peshëngritjes.  

Tek reportazhi që botova te një e përditshme sportive për një garë ndërkombëtare peshëngritjeje që u zhvillua në Sarajevë në 7 nëntor 2015 jam munduar t’i përcjell emocionet që pata fatin t’i përjetoja nga afër… Tek suksesi i sportistëve tanë në atë garë (Alban Hoxha dhe Denald Gjata) veç punës së palodhur të trajnerit Ilir Çela për të mbërritur deri aty, evidentohej qartë pasioni për t’ua përcjellë nxënësve të tij mesazhin se: “Vetëm me punë arrihet suksesi”, bindje që Ilir Çela e trashëgonte nga ish trajneri i tij Vehap Xhindoli. Prandaj edhe  atë shkrim, pa asnjë mëdyshje, vendosa ta titulloja: “Kur shtangat ngrihen me djersë e me zemër” – (http://albaniansport.net/new/vehap-xhindolli-kur-shtangat-ngrihen-me-djerse-dhe-me-zemer/) …  

***  

Meqenëse kisha njohje dhe informacion të bollshëm për rezultatet e jashtëzakonshme kombëtare dhe, sidomos, medaljet e arta ndërkombëtare që na ka dhuruar mes tyre, njëri nga pesë të vlerësuarit me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, Ilir Çela, kisha nisur të bëja një portret më të plotë për punën vetëmohuese të tij me peshëngritësit e Elbasanit dhe sukseset e tyre…  

***  

Por, një titull në faqe të parë tek “Gazeta Shqiptare” në numrin e saj të datës 25 maj 2021, më detyroi të ndryshoj trajektoren e synimit të shkrimit të planifikuar. Për të përfshirë në këtë nderim të lartë që iu bë nga Presidenti i Republikës mikun tim Ilir Çela, doja të përmendja dhe rezultatet më të spikatura të disa prej sportistëve të tij. Ato janë shumë dhe, për këtë arsye, kisha zgjedhur të tregoj në stil telegrafik vetëm emrat, medaljet e arta dhe rekordet në aktivitetet ndërkombëtare olimpike, botërore, evropiane, Lojërat Mesdhetare dhe Lojërat Ballkanike.  

  Pra, bashkë me Ilir Çelën, një nga trajnerët më të njohur të peshëngritjes, jo vetëm të Elbasanit por edhe të Ekipeve Kombëtare, më dukej e udhës të gjeja radhë që të përgëzoheshin me këtë rast edhe kampionët, edhe rekordmenët e njohur nga Elbasani që ai ka përgatitur, si: Luan Shabani, Gert Trasha, Taulant Çerepi, Hysen Pulaku, Evis Tabaku, Endri Karina, Endri Haxhihyseni, Theoharis Trasha…

 Për vlerësimin e lartë me Titullin “Mjeshtër i Madh” të Ilir Çelës, patjetër duhet të gëzonte edhe Franko Ferra, njëri nga më të rinjtë që po përgatit së fundmi dhe, me rezultatet që korri ky 15 vjeçar në Kampionatin Evropian që u zhvillua në Eliat të Izraelit më 2019, ku fitoi 3 medalje bronzi dhe theu 6 rekorde evropiane, premton shumë. Edhe 10 vjeçari tjetër elbasanas Anxhelo Murizi ka arsye të gëzohet  dhe të shpresojë nga vlerësimi i merituar i profesorit të tij Ilir Çela…  

 ***  

Por entuziazmin e gëzimit për këtë ngjarje të bukur u mundua ta përbaltë një “gazetar” që ta quash djallëzor është pak…  

Nën titullin: “Meta nuk shkon në Komisionin Hetimor”… me gërma të mëdha “Gazeta Shqiptare” në numrin e saj të datës 25 maj 2021, ekstremisht në mënyrë abuzive shkruan:  

Komisioni kërkesë për ta marrë me dhunë, kreu i shtetit mbledh në Presidencë peshëngritësit”(!!!)  

 Ky (nën)titull i vendosur në faqe të parë të gazetës dhe formuluar kësisoj: duke bërë bashkë në një fjali dy të vërteta që s’kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën, për (nën)kuptimin dizinformues që përcjell, jo vetëm që është një turp për ata që e kanë sajuar, por edhe shumë fyes…  

 (Nën)kuptimi se Presidenti i Republikës “ka thërritur në ndihmë në Presidencë për t’u mbrojtur forcërisht ndaj rrëmbyesve të urdhëruar nga Komisioni Hetimor Parlamentar shtangistët”(!!!) nuk fyen vetëm Atë, por të pestë personalitetet që u nderuan me meritë me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, familjarët dhe gjithë miqtë e tyre… Fyen gjithë sportistët e Ilir Çelës që kanë ngritur shumë herë lart flamurin tonë në Botë, gjithë komunitetin e shtangistëve, gjithë shoqërinë tonë…  

 

Ps: Nëse klikoni në Google emrin e autorit të këtyre radhëve pranë emrit “Ilir Meta” do të konstatoni se në fare pak raste kam qenë neutral apo i kursyer në kritikat ndaj Tij. Ndaj, duke ju siguruar se nuk jam një adhurues i personit të Tij, mendoj se, për këtë rast, abuzimi i artikullshkruesit me institucionin e Presidentit të Republikës është i pa tolerueshëm.  

 

Ilir Mborja  

 

Në foto kryesore: Gert Trasha, Esat Ademi, Presidenti Meta,  Endri Haxhihyseni, Ilir Çela dhe Vehap Xhindoli.

Në foton e dyte: Presidenti dhe familjarë të Ilir Çelës.