Programi për shëndetësinë i Partisë Demokratike nisi me prononcimet e qytetarëve në përballjen e vështirë me Covid. Në fjalën e tij, kreu demokrat Lulzim Basha premtoi se kur të vijë në pushtet paga për mjekët do të jetë 1200 euro, kurse për infermierët 700 euro, në mënyrë që të mos braktisin vendin. Ai premtoi gjithashtu se do të hapet fakultet i ri për mjekësinë.

“Pacienti në qendër të sistemit, paraja ndjek pacientin. Ju do zgjidhni mjekun apo spitalin. Do të ketë paga dinjitoze për mjekë e infermierë. 700 euro për infermierët, 1200 euro për mjekët. Ata ishin heronjtë tanë dhe luftuan në vijnë e parë. E meritojnë. Do hapim fakultet të ri mjekësor”.

Me PD-në në pushtet, sipas Bashës në Shqipëri do të shiten ilaçe cilësisë së lartë dhe do rimbursohen, sipas diagnozës dhe jo skemës kufizuese.

“Në Shqipëri të shiten ilaçe të cilësisë së lartë dhe do rimbursohen sipas diagnozës dhe jo skemës kufizuese. Të përgatitemi të përballojnë sfidat. Programi ynë kujdeset për shëndetin. Pas fitores së zgjedhjeve do ta shërojmë vendin, do kemi më shumë mjekë e infermierë në spitale e qendra shëndetësore. Mjekët e infermierët nuk do braktisin vendin, por do t’ia vlejnë të punojnë në vendin e tyre”.

Për të pasur një shëndetësi më të mirë theksoi Basha, duhet të shërojmë vendin nga kriza dhe t’u sjellim shqiptarëve ndryshimin.

“Misioni im është të rimëkëmbim vendin e ngjallim shpresën, t’i japim fund dështimeve të Ramës e të ecim para. E keqja duhet larguar të përmirësohet e zhvillohet shëndetësia. Për të pasur një shëndetësi më të mirë duhet të shërojmë vendin tonë. Kur vendi ynë lëngon nuk ngrihet dot shpejt. Kur është i mbërthyer nga kriza nuk ofron kujdes duhet të shërojmë vendin për këtë arsye këto muaj kam pasur nderin e privilegjin për një plan shëndetësie që do ndryshojë Shqipërinë, një plan serioz dhe të zbatueshëm se na ka ardhur në majë të hundës me plane boshe. Do krijojmë kushte të ngrihemi nga shtrati i lëngimit, u garantojmë shqiptarëve për ndryshim e jetë të shëndetshme për të gjithë, do i ndryshojë jetët e prindërve tuaj. Ne paguajmë më shumë nga çdo vend tjetër për kujdesin shëndetësor. Do ulim tarifat dhe paratë të mos shkojnë në xhepat e atyre që kanë kapur sistemin shëndetësor”.