Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka prezantuar sot programin e Partisë Demokratike për mirëqenien sociale. Basha në fjalën e tij u shpreh se me qeverinë e tij, Shqipëria do u kthehet qytetarëve dhe askush nuk do të nëpërkëmbet.

Basha tregoi disa nga angazhimet e tij që tha se do të zbatohen kur të marrë drejtimin e qeverisë. Në premtimet kryesore të kreut të PD, është rritja e pensioneve dhe e ndihmës ekonomike, ndihma për çiftet e reja dhe pagesa me 3 mijë Lekë në muaj për çdo të porsalindur.

“Mbi të gjithë rëndon përgjegjësia e një ndryshimi që pritet për tetë vite me radhë. Të gjithë kërkojnë që t’u kthehet vendi që e meritojnë dhe që e duan. Shqipëria do u kthehet atyre dhe do u kthehet të gjithë shqiptarëve. Sot që flasim të moshuarit janë të izoluar nga pandemia, janë në mungesë ilaçesh dhe me keq se më parë. Të keqes po i vjen fundit, ne do të rimëkëmbim Shqipërinë. Kur prezantojmë planet për një Shqipëri më të mirë, kemi punuar shumë për këtë gjë. Këto janë angazhime, ndaj jam sot para jush për t’i shpallur. Ne duam të zbatojmë një plan pune që është i zbatueshëm. Nuk është mrekulli, por është një plan stabiliteti.

Unë angazhohem ndaj jush, që njerëzit kanë më shumë nevojë për ne do ta marrin atë. U garantojmë se askush nuk do të neglizhohet dhe askush nuk do të braktiset. Unë angazhohem se do të rris pensionet dy herë më shumë se inflacioni dhe 5% në vit. Angazhohem të dyfishoj asistencën sociale dhe se njerëzit me aftësi të kufizuara do të jenë pjesë e qeverisjes sonë. Angazhohem për subvencione për kredi për 20 mijë familje dhe çifte të reja, ne do të paguajmë 100% të interesave bankare të çdo çifti të ri, 5 mijë të tillë do të përfitojnë nga kjo. Çdo familje do të përfitojnë për çdo 5 porsalindur 3 mijë Lekë të rinj për 5 vitet e para të jetës. Ju duhet të zgjidhni mes atyre që u zënë frymën dhe një të ardhme më të mirë. Ju duhet të zgjidhni mes Shqipërisë që humb dhe Shqipërisë që fiton”, tha Basha.