Ligji i mazhorancës socialiste për pronat është antikushtetues dhe një shpronësim i dytë për pronarët e ligjshëm, tha kryedemokrati Basha.

“Ne e konsiderojmë ligjin e qeverisë Rama një shpronësim të dytë anti-kushtetues, anti-ligjor. Dhe jemi zotuar që ditën e parë të kalimit të atij ligji se do ta shfuqizojmë atë. Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe do të vazhdojmë të ndjekim rrugën tonë deri në instancat më të larta të Strasburgut për të shfuqizuar çdo efekt me parapaveprim të këtij ligji ç ‘njerëzor, i cili nuk bën gjë tjetër veçse i vë një damkë të dyfishtë turpit të trashëgimisë së kundërshtarit tonë politik dhe qeverisë në ikje të kryeministrit Rama. Damkën e parë sepse po i trajton edhe një herë pronarët legjitim si qytetarë të rangut të dytë, njësoj si gjatë diktaturës komuniste, dhe damkën e dytë të turpit se këtë po e bën jo thjeshtë dhe vetëm për motive të vazhdimësisë ideologjike, po thjesht dhe vetëm për arsye korruptive për të vazhduar zaptimin dhe tjetërsimin e pronave të pronarëve nga bregdeti në zonat urbane, nga zonat bujqësore në kullotat apo kudo tjetër dhe për të vazhduar sundimin e një grushti njerëzish, oligarkë i njeh populli, monopolist, ortak të këtij pushteti në kurriz të të gjithë qytetarëve. Të të gjithë qytetarëve pa dallime politike.”, u shpreh Basha.

Gjatë prezantimit të programit për pronat kërkoi ndjesë publike në emër të Partisë Demokratike për problematikat e krijuara për këtë çështje duke u zotuar për ta shfuqizuar ligjin dhe adresuar zgjedhjet pas 25 prillit.

“Ndaj, qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe i prerë, dhe në nisje të debatit politik për këtë çështje, unë e kam thënë publikisht dhe dua ta përsëris sot edhe një herë publikisht, ju lutem të nderuar pronarë të Shqipërisë pranojeni këtë dhe si një ndjesë, në emër të Partisë Demokratike për vonesat, për problemet me të cilat jeni hasur në rrugën tuaj në kalvarin tuaj 30-vjeçar edhe për shkak të përgjegjësive tona të papërfunduara. E them këtë me gjithë vetëdijen që jam drejtuar edhe përndjekurve politik, me vetëdijen se as të përndjekurit dhe as pronarët nuk kishin dhe nuk kanë ku ta kërkojnë drejtësinë e munguar këto 30 vite përveçse tek shtëpia e lirisë, kjo është Partia Demokratike. Edhe sikur disa prej gabimeve dhe shtrembërimeve dhe mosveprimeve mos të kishin ndodhur gjatë qeverisjes tonë, që në fakt kanë ndodhur gjatë disa viteve të qeverisjes tonë, prapë se prapë kjo do të ishte një ndjesë e merituar sepse ne ju kemi dalë zot dhe ne duhet t’ju dalim zot deri në fund pronarëve dhe të përndjekurve politik.”, u shpreh kryedemokrati.