Tetëmbëdhjetë deputetë të shumicës socialiste i kanë kërkuar zyrtarisht kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për raportin e ish-eurodeputetit Dick Marty mbi Kosovën.

Dhjetë vite pasi ish-politikani zviceran paraqiti në Këshillin e Evropës raportin e tij, parlamenti shqiptar lëviz për të shqyrtuar pretendimet që ai ngriti asokohe për trafik organesh apo burgje të hapura nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Shqipëri.

Komisioni kërkon të administrojë dokumentacionin dhe të hartojë një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera asokohe nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi raportin e Marty-it.

Kërkesa është paraqitur në Kuvend një ditë më parë. Komisionit do t’i duhet të hartojë raportin dhe ta prezantojë brenda një afati tre mujor dhe pas përfundimit të punës të propozojë një rezolutë.

Vlen të theksohet se komisioni parlamentar është i pari që pritet të ngrihet për të verifikuar pretendimet e përmendura në raportin e Marty-it dhe kjo ndodh rreth 10 vite pasi ish-deputeti zviceran pati ngritur dyshimet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në disa vende të Shqipërisë si Durrës, Burrel, Kukës apo Has grupe të lidhura me UÇK-në zhvillonin trafik organesh.

Këto pretendime nuk janë faktuar ndonjëherë, ndërkohë që në veri të Shqipërisë, sipas të gjitha dëshmive, bazat e UÇK-së nuk janë përdorur kurrë si burgje.

Lëvizja e socialistëve vjen disa javë pasi në Gjykatën e Hagës janë dërguar me akuza për krime lufte ish-udhëheqës të UÇK-së, ndërsa në Shqipëri ka pasur debate dhe sulme publike ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në lidhje me angazhimin e tij në kohën e luftës si këshilltar ligjor në misionin e OKB-së, UMNIK, që u mor me faktimin e krimeve serbe në Mitrovicë.

Nga debati Basha është akuzuar se ka penguar hetimin e masakrës serbe ndaj shqiptarëve të Krushës së Madhe, ngjarje kjo e ndodhur më 25 mars 1999. Akuzat janë mohuar nga Basha.