Partia Socialiste do të mbledhë të mërkurën Asamblenë Kombëtare, ku siç dihet për shkak të pandemisë do të zhvillohet online. Ditën e sotme është bërë publike axhenda e selisë rozë.

Në fokus të këtij takimi do të jetë thirrja e Kongresit të Partisë. Po ashtu pritet që të miratohet edhe një projekt-vendim për analizat e zgjedhjeve të 25 Prillit në strukturat vendore.

Gjatë takimit do të kërkohet informacion mbi gjendjen dhe veprimtarinë e strukturave organizative të partisë si dhe do të miratohen disa projekt-vendime të tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet e reja në strukturat vendore të partisë, fushata e anëtarësimeve të reja, si dhe regjistrit dixhital të partisë.

Mbledhja e AK-së do të zhvillohet në orën 17:30. Kujtojmë që pas asamblesë do të zhvillohet Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS-së më 12 Qershor.

Zhvillimi i Kongresit të PS, nuk do të shënojë vetëm 30-vjetorin e krijimit të partisë, por dhe fatin e drejtuesve të qarqeve në vend.