Gjashtë muaj pasi dha dritën jeshile për negociatat, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut gjenden në të njëjtin qorrsak që ishin dy vjet më parë, duke pritur jashtë dyerve të Bashkimit Europian.

Edhe pse u deshën vite për të bindur vendet skeptike si Fraca dhe Holanda për hapjen e negociatave, procesi i anëtarësimit jo vetëm që ka mbetur në vend, por listës së vendeve skeptike i është shtuar edhe Bullgaria.

Sot Brukseli pritej të miratonte udhërrëfyesit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për t’i hapur kështu rrugën mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare.

Por, ashtu siç edhe pritej procesi i anëtarësimit të dy vendeve ka mbetur sërish mosmarrëveshjeve dhe vullnetit të disa prej vendeve anëtare. Zëri kryesor që është dëgjuar në mbledhjen e sotme të ministrave të BE-së ka qenë ai i Bullgarisë, e cila kundërshton hapjen e kapitujve të anëtarësimit me Shkupin për shkak të mosmarrëveshjeve mbi gjuhën dhe historinë maqedonase.

Por nëse ajo që po mban peng negociatat me Maqedoninë e Veriut është e shkuara për Shqipërinë problemi është më aktual. Një sërë vendesh të udhëhequra nga Holanda vazhdojnë të kundërshtojnë nisjen e bisedimeve me vendin tonë për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të hënën, Parlamenti holandez ka hedhur poshtë mocionin e një deputeti për nisjen e negociatave Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mocioni u nis nga deputeti Thierry Baudet dhe u dërgua në parlament në 11 nëntor, por vetëm 49 deputetë votuan pro nga 150 në total.

Mocioni vinte pasi Parlamenti Holandez diskutoi vlerësimin e qeverisë holandeze të raportit të progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Qeveria holandeze nënvizoi rëndësinë e krijimit të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, ndryshimin e ligjit për mediat sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe vazhdimin e punës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Edhe pse Komisioni Europian ka deklaruar vazhdimisht se mbledhja e parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit të zhvillohet në muajin dhjetor brenda Presidencës gjermane të BE-së, për Shqipërinë dilemat janë të mëdha

Hapja e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kthyer në një nga sprovat e kryesisë gjermane të BE-së. Në deklaratë për media, ministri i shtetit për Evropën, Michael Roth, të martën në Berlin u bëri thirrje kolegëve të vet që të miratojnë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Sot do t’i informojë koleget dhe kolegët e mi për procesin e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet janë fqinjët tonë të drejtpërdrejtë. Është në interesin e BE-së që të fillojmë negociatat me këto dy vende.

Shpresoj që të gjithë koleget dhe kolegët nga të gjitha vendet anëtare të ndërgjegjësohen për këtë interes të përbashkët dhe të jenë të gatshëm të bëjnë përparime pragmatike dhe solidare në kuptimin më të mirë të fjalës. Procesi i anëtarësimit nuk duhet të bëhet peng i kërkesave të anëtarëve të veçantë.”

Përveç vetos bullgare, Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë kusht për mbajtjen e mbledhjes së parë ndërqeveritare. Por, për Shqipërinë në vendimin e marsit për hapjen e negociatave, Këshilli Europian ka vendosur tre kushte që duhen plotësuar para mbajtjes së kësaj konference. Kushti i parë është rikthimi në funksion i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe reforma zgjedhore. Dy kushtet e para nuk janë plotësuar ende, ndërkohë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë pritur me kontradita nga Brukseli zyrtar. Holanda duket të jetë vetëm një nga vendet që kudërshtojnë hapjen e kapitujve të anëtarësimit në Bashkimit Europian më vendin.

Por edhe pasi të miratohet udhërrëfyese, rruga e Shqipërisë për në BE mbetet e gjatë dhe e vështirë. Sipas raporteve të mediave, plot pesë shtete anëtare janë të mendimit se Shqipëria nuk ka përmbushur parakushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, duke kërkuar shtyrjen e saj për në vitin 2021. Këto vende janë Holanda, Danimarka, Spanja dhe Franca, shkojnë përtej vlerësimit të Komisionit Europian për mosplotësimin e dy parakushteve lidhur me mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Ligjin për Median.

Këto vende, thonë se kanë një vlerësim më realist se Komisioni Europian për reformat kyçe në Shqipëri dhe, se për mbajtjen e konferencës e parë ndërqeveritare duhet të plotësohen të gjitha parakushtet.

Pikat që kërkojnë më tej të zbatohen, shtetet në fjalë:

  • – Respektimi i opinionit të Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese në kodin zgjedhor.
  • – Garantimi i transparencës së financimt të partive politike, për të cilën ka vetëm një udhërrëfyes, por jo një plan zbatimi.
  • – Gjermania, Franca, Danimarka, Holanda dhe Spanja janë dakord me Komisionin Evropian, se kushti për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese nuk është përmbushur. Por ato bëjnë dallimin për Gjykatën e Lartë, duke cilësuar se Gjykata e lartë me 3 nga 19 gjyqtarë nuk mund të konsiderohet si funksionale.
  • – Edhe pse mirëpritet ngritja e SPAK, vihet theksi tek mungesa e një gjurme provash për hetime, ndjekjeve penale dhe dënime të zyrtarëve të lartë.
  • – Vlerësohet se për BKH nuk ka asnjë tjetër emërim përveç drejtorit dhe se është e rëndësishme që të zhvillohen rekrutimet e mëtejme, në mënyrë që kjo strukturë të jetë plotësisht funksionale.
  • – Mbështetet vlerësimin i Komisionit Evropian lidhur me ligjin për median ndërsa kërkohet përparimi në fushën e lirisë së shprehjes nëpërmjet ndjekjes së rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
  • – Kërkohet vijimi i zbatimit të planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve të Task Forcës së Veprimit Financiar dhe bashkëpunimin me autoritetet përkatëse të vendeve anëtare.
  • – Vihet në pah po ashtu se numri i përgjithshëm i kërkesave të azilit, edhe pse është ulur mbetet i lartë dhe nevojiten përpjekje të vazhdueshme nga autoritetet shqiptare.

Bullgaria kundër Shkupit

Greqia, e cila ishte dikur ishte kundërshtari më i zëshëm për fillimin e bisedimeve me Shkupin, ëhstë zëvendësuar tanimë nga Bullgaria.
Sofja ka ringjallur ankesat e vjetra, duke i bërë thirrje fqinjit të saj të pranojë lidhjet historike dhe gjuhësore të Maqedonasve etnikë me Bullgarinë dhe duke kërcënuar të vërë veton në fillimin e bisedimeve të pranimit duke i bllokuar kështu rrugën e anëtarësimit edhe Shqipërisë.

Skenari më i mirë është që dy kryeministrat, Zoran Zaev i Maqedonisë së Veriut dhe Boyko Borissov të Bullgarisë të arrijnë një lloj marrëveshjeje që do të lejonte secilin të ruante imazhin brenda vendit ndërsa zhbllokonte rrugën e Maqedonisë së Veriut për t’u bërë pjesë e BE.

Toni luftarak i qeverisë bullgare, megjithatë, po sinjalizon se BE po shkon drejt një qorrsokaku mbi këtë çështje. Sidoqoftë, nuk është vonë që Borissov dhe Zaev të kthejnë gjërat.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tashmë i ka dërguar Borissov një mesazh të prerë, duke kërkuar ta zgjidhë këtë cështje.

“Dy vendet nuk kanë zgjidhur ende mosmarrëveshjet mbi historinë dhe gjuhën”, tha Ministrja e Jashtme Ekaterina Zaharieva.
“Askush nuk po e konteston të drejtën e tyre për të vetë-përcaktuar kombin e tyre dhe për ta quajtur gjuhën e tyre si u pëlqen. Por nuk mund të pajtohemi që kjo e drejtë të bazohet në urrejtje, vjedhje të historisë dhe mohim të Bullgarisë, ”tha Zaharieva. “Ekziston një konsensus në Bullgari që Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të ndalojë retorikën e saj anti-Bullgare dhe “falsifikimet e historisë”, para se të marrë dritën jeshile të Sofjes për të filluar negociatat.
Një komitet historik dypalësh u krijua nën kushtet e traktatit të miqësisë për të zgjidhur problemet e interpretimit të historisë së përbashkët. Sidoqoftë, pala nga Shkupi i këtij komiteti thuhet se nuk ka rënë dakort për asnjë marrëveshje.

Bullgaria gjithashtu shpreh keqardhje që Shkupi bllokon qëllimisht projektet e përbashkëta të infrastrukturës. Sado e çuditshme mund të duket, nuk ka asnjë linjë hekurudhore midis Shkupit dhe Sofjes, si rezultat i pengesave që datojnë që nga kohërat Jugosllave. Lidhja rrugore midis dy kryeqyteteve është gjithashtu në një gjendje shumë të keqe.