Nga Mero Baze

Sikur 24 marsin e vitit 1999 ta zhvendosim në vitin 2021, Serbia nuk do të bombardohej, Kosova nuk do çlirohej dhe ajo që diskutohet sot për pakicën serbe në Kosovë, do të diskutohej për shumicën shqiptare.

Edhe pse duket paradoks, kjo zhvendosje artificiale në kohë e kësaj ngjarje të madhe për kombin shqiptar, tregon se sa rëndësi ka momenti historik, dhe akoma më shumë, sa rëndësi ka që elita politike e një vendi, të jetë e qartë në atë moment.

Sikur Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi si bashkëkryetarë të delegacionit të Rambujesë, të mos kishin nënshkruar marrëveshjen, por të kishin dëgjuar Sali Berishën në Tiranë, apo Adem Demaçin dhe Albin Kurtin në Prishtinë, sot Kosova do ishte nën Serbi.

Sikur në Rusi të mos ishte president Boris Jelcin, që nuk mbante dot p..dhët në konferencë shtypi me Klintonin, por të ishte Vladimir Putini, Serbia nuk do bombardohej.

Sikur Kina të mos ishte ajo e 22 viteve më parë, por kjo e sotmja, që po sfidon SHBA-në, Serbia nuk do bombardohej.

Sikur në krye të Francës të ishte Makron, e jo Zhak Shirak, Serbia nuk do bombardohej.

Sikur në Britani të Madhe, të mos ishte në krye Toni Blair, por Boris Xhonson, Serbia nuk do bombardohej. Biles Xhonson atëherë dhe e pat bërë publik qëndrimin e tij kundër bombardimeve.

Por mbi të gjitha, sikur në Beograd të mos ishte në pushtet Sllobodan Milosheviçi dogmatik dhe nacionalist i shkollës së vjetër, por një tip si Vuçiç, që di ta mashtrojë Perëndimin, edhe pse është nacionalist i kulluar serb, përsëri Serbia nuk do të bombardohej.

Nga ana tjetër, sikur në krye të shqiptarëve në Kosovë, të ishte Albin Kurti dhe Adem Demaçi, Seria përsëri nuk do bombardohej, pasi ata ishin kundër nënshkrimit të “Marrëveshjes së Rambujesë”, që solli bombardimet.

Për fatin tone, kundërshtimi i Albin Kurtit, që ishte zëdhënës i Adem Demaçit dhe shefit të tij, nuk i ndali dot bombardimet dhe as lirinë e Kosovës.

Për ironi të fatit, Albin Kurti e pranoi shtetin e Kosovës, 22 vite më vonë, vetëm kur u bë kryeministër. Tani ata që e bënë Kosovën të pavarur, janë të vdekur, ose të burgosur, kurse ai në krye të Kosovës, për shkak të populizmit të tij.

Mjafton kjo përmbysje e plotë e raporteve ndërkombëtare dhe kombëtare për Kosovën, 22 vite më pas, për të kuptuar se Kosova ka pasur fat SHBA-në dhe liderët perëndimorë të asaj kohe.

Nëse do ishim vonuar atë muaj, atë javë, atë ditë që duhej nënshkruar, si sot më 24 mars, 22 vite më parë, nuk do të binin bombat që sollën lirinë e atij vendi.

Ndaj sot më shumë se kurrë, ata që janë në krye të Kosovës dhe që nuk kanë asnjë meritë për shtetin e Kosovës, duhet të kuptojnë se ata po drejtojnë një shtet që e bëri të tillë SHBA, NATO dhe aleanca e vendeve perëndimore me ta, kundër Rusisë dhe Kinës, që nuk kishin fuqi të kundërshtonin.

Sot shumica ka ndryshuar kundër Kosovës. Rusia dhe Kina, nuk janë më ato që ishin, ku njërës i ngatërroheshin këmbët e presidentit nga pija, e tjetrës i ngatërronin bombat, adresën e Ambasadës në Beograd, për shkak të “hartave të vjetra”.

Ato sot janë sfiduese të Perëndimit. Evropa nuk është më e bashkuar rreth Kosovës, ndërkohë që pesë anëtarë të saj ende nuk po e njohin.

SHBA është e vetmja fuqi e madhe që qëndron krah saj dhe mbron investimin e saj politik, diplomatik dhe ushtarak në Ballkan, përmes Kosovës.

Dhe kur mendon këtë dhe dëgjon kryeministrin e ri të Kosovës, të injorojë si prioritet, njohjen ndërkombëtare të Kosovës, e kupton sa afër rrezikut të zhbërjes së shtetit të Kosovës jemi.

Mjafton një shenjë lodhje nga SHBA dhe bota nuk është më ajo që bëri Kosovën. Përkundrazi, është një botë, shumica e së cilës ngjan e penduar, edhe për shkak të Kosovës.

Ndaj mos u gënjeni nga ata që thonë kemi prioritet punësimin, kreditë për punëtorët e fshatarët, ndërrimin e bordeve, apo hakmarrjen politike. Ata janë frikacakët që nuk i vënë dot gjoksin fatit të Kosovës, por duan vetëm karrigen e pushtetit të saj.

Shteti i Kosovës është ende një mision i papërfunduar, dhe injorimi i betejës për njohjen e plotë ndërkombëtare të Kosovës, është goditja më e madhe që mund t’i jepet Kosovës në këto momente. Dhe kjo dhemb shumë sonte, më 24 mars 2021.