PM Mitsotakis meets with Albanian PM Rama, who confirms his ...
Kujt i shkon në mendje se kryeministri i një vendi të BE-së “ka harruar” se kryeministri i një vendi tjetër që aspiron BE-në e ka të pamundur të mos veprojë vetëm në përputhje me ligjet dhe institucionet e vendit të tij?
Nuk e di Kryeministri i Greqisë se Kryeministri i Shqipërisë duhet të përfaqësojë interesat e popullit që e ka zgjedhur?
Kur harruan shpikësit e demokracisë në Athinë se institucionet dhe ndarja e pushteteve janë themeli i qeverisjes së mirë dhe rregullave që janë vendosur për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve?
Atëherë, si ka mundësi që në rastin e arrestimit të kandidatit për kryebashkiak të Himarës, Fredi Belerit, i drejtohen personalisht Edi Ramës, sikur të jetë ai vetë Kryeprokurori apo Kryegjykatësi i Shqipërisë?!
Kur harruan se në një sistem demokratik duhet të ekzistojnë mekanizma dhe institucione të pavarura, si gjykatat, parlamenti dhe organet e tjera kontrolluese, që kanë rolin e mbrojtjes së sundimit të ligjit dhe të sigurisë së institucioneve demokratike?
Pse kështu?!
Pse “lajthitën” grekët në rastin e Fredi Belerit?!
Jo, grekët nuk kanë lajthitur aspak. Edhe këtë, se kur një kryeministër vepron në mënyrë të papranueshme mbi ligjin, është detyra e këtyre institucioneve të intervenojnë dhe të kryejnë kontrollin e nevojshëm për të ristabilizuar ligjshmërinë dhe demokracinë, nuk e kanë harruar.
Edi Rama, kryeministri i vendit më të varfër e më problematik me drejtësinë dhe jo Qirjako Micotaqis ka harruar se roli i tij parësor është të drejtojë vendin dhe të përkujdeset për zhvillimin e ekonomisë, mirëqenien e qytetarëve dhe të sigurojë stabilitetin dhe sundimin e ligjit. Sigurisht, një kryeministër e ka të drejtën të kultivojë dhe shprehë interesat e tij artistike në kohën e lirë, siç mund të jetë të pikturuarit apo të bërit qeramika. Por, kur kryeministri i këtij vendi të varfër, në vend që të promovojë kulturën dhe vlerat e popullit të tij, hap një ekspozitë personale me pikturat e tij jashtë shtetit për të promovuar vlerat e veta personale, nuk është aspak normale. Promovimi i këtyre aftësive personale, siç qe rasti i hapjes së ekspozitës personale të Edi Ramës në Athinë në mars të këtij viti, në vend që të përçonte ndjenjën e përgjegjësisë dhe prioritetin e duhur të një lideri politik, shprehte të kundërtën.
Askush nga ata që panë atë ekspozitë të Edi Ramës në Athinë, përtej piktorit abstraksionist, nuk pa aty liderin politik të përkushtuar në të mirën e popullit të vet. Pikturat dhe qeramikat, assesi nuk mund të flisnin për një shtetar që, interesin e tij personal, ta vinte pas detyrave të tij publike për të cilat është zgjedhur.
Prandaj, ashtu si ekspozitën personale në Athinë, Edi Rama duhet ta marrë si personale edhe rastin e Fredi Belerit.
Edi Rama duhet ta marrë si personale rastin Beleri, sepse Kryeministri i Greqisë Qiriakos Micotaqis e di shumë mirë, se, miku i tij për kokë, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, para pak kohësh, ai dhe askush tjetër vendosi me kokën e tij që në sheshin e Derviçanit të ngrihet busti i babait të tij Konstandinos Micotaqis. Duke u sjellë me hapësirat publike të Dervicanit si të ishte bahçja e tij në Surrel, kryeministri shqiptar veproi në mënyrë të paligjshme dhe autokratike. Shpërdorimi i pushtetit për të ndikuar në hapësirat publike për interesat personale, përveç se është një veprim arbitrar e autokratik, është një sjellje e një servilizmi pa kuptim. Sigurisht, këto veprime, që shkelin parimet themelore të demokracisë, janë të papranueshme në Greqi, por jo në Shqipërinë e Edi Ramës.
Pikërisht për këto që thamë, Kryeministri i Greqisë Qiriakos Micotaqis, edhe për rastin e arrestimit të Fredi Belerit, i drejtohet personalish, sikur të jetë vetë Edi Rama, edhe Kryeprokurori, edhe Kryegjykatësi i Shqipërisë?!
———–
Engjëll NOVA