NASA i është bashkuar kërkimit dhe studimit të të ashtuquajturave fenomene ajrore të paidentifikuara, ato që dikur quheshin UFO. Agjencia Amerikane e Hapësirës ka njoftuar se në vjeshtë do të nisë një hetim nëntëmujor të financuar me 100 mijë dollarë. Konkluzionet do të përfundojnë në një raport publik. Vendimi u mor për t’i dhënë një qasje shkencore ekzaminimit të fenomenit, për të cilin u shfaq interes edhe nga inteligjenca dhe parlamenti amerikan.

Hetimi do të kryhet nga ekspertë të autorizuar shkencorë dhe ekspertë të aeronautikës.

“Një nga rezultatet e këtij studimi do të jetë që të gjithë të kuptojnë se procesi shkencor është i vlefshëm për trajtimin e të gjitha problemeve, përfshirë këto”, shpjegoi në një konferencë shtypi Thomas Zurbuchen, administrator i asociuar i NASA-s dhe autor i vendimit. Objektivat janë të mblidhen sa më shumë të dhëna (nga qeveritë, kompanitë private, shoqatat, individët), të përcaktohen ato që mungojnë dhe të vendoset se me cilat mjete do të kryhet analiza në të ardhmen.

Në qershor 2021, inteligjenca amerikane arriti në një raport se nuk kishte prova për ekzistencën e formave të jetës jashtëtokësore, por pranoi se dhjetëra fenomene të zbuluara nga pilotët ushtarakë nuk mund të kishin një shpjegim.

Sipas Pentagonit, një numër në rritje i objekteve të paidentifikuara janë raportuar në qiell gjatë 20 viteve të fundit.