Nga Irena Beqiraj

Lajmi i mirë që zuri çdo faqe ekonomike në mediat shqiptare, ishte angazhimi europian për të mobilizuar në Ballkanin Perëndimor rreth 20 miliardë euro në projekte infrastrukturore, ku rreth 9 miliardë do të financohen nga Europa dhe 11 miliardë të tjera pritet të mobilizohen nga burime të tjera financimi. Këto financime të shtrira në 7 vite, janë sa 1/4 e PBB-së së 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor të marra së bashku.

E ndërsa “gëzimi politik” i financimeve europiane do të zgjasë ca, Dambisa Moyo, një ekonomiste brilante, e cila shpjegon përse më shumë se 1 trilion dollarë ndihmë e financime në 50 vitet e fundit në Afrikë, nuk e ndihmuan Afrikën të arrijë rritje të qëndrueshme ekonomike, do të nënqeshte duke na thënë –  “ndihma e huaj në disa vende lind e vdekur”.

Historia e 56 vendeve më të suksesshme pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat përjetuan rritje ekonomike 6% (rritje kjo që përkon edhe me objektivin e çdo qeverie shqiptare) ka përcaktuar “një rregull të artë”. Ky rregull tregon se niveli i investimeve (publike dhe private) për vendet në zhvillim duhet të jetë më i lartë se 30% të PBB-së të paktën në një dekadë. Nga ana tjetër nëse niveli i tyre ulet nën 20% të PBB-së, kjo mund të konsiderohet një flamur i kuq, një shenjë shqetësuese, që tregon që ekonomia ka rënë në spiralen e stanjacionit ekonomik, apo më keq është në prag recesioni. Investimet janë indikatori më i rëndësishëm i ndryshimit, pasi niveli në rritje apo në ulje i tyre përcakton recesionet dhe rimëkëmbjet.

Grafiku i mësipërm tregon që nga ky “rregull i artë” nuk ka bërë përjashtim as Shqipëria. Në  vitet që formimi i kapitalit fiks (ndryshe investimet) ka qenë̈ mbi 30% e PBB-së si dhe ka ndjekur ritme rritëse për të paktën një dekadë, rritja ekonomike ka arritur mbi 5.5% afër 6%. (1999-2008). Ndërsa vihet re që me rënien e investimeve nën këtë nivel, rritja ekonomike ka qenë anemike. Që prej vitit 2010 jemi poshtë nivelit 30% dhe siç duket trendi për shkak edhe të pandemisë po “gremisemi” drejt pikës së rrezikut duke arritur nivelin 20% në vitin 2020. Është̈ pikërisht kjo rënie në “humnerën e stanjacionit ekonomik” si rrjedhojë e rënies së investimeve, momenti kur ndërhyrja europiane, kineze, apo amerikane bëhet e domosdoshme për të mbajtur ritmet e rritjes të paktën në afat të shkurtër, por që kurrsesi e vetme nuk mund të garantojë rritjen afatgjatë. Kjo e fundit garantohet nga çfarë këto investime lënë prapa në ekonomi.

This image has an empty alt attribute; its file name is Grafiku-9-10-2020_Artboard-34-copy.jpg

Së pari, historiku ynë tregon që përcaktuesi kryesor i nivelit të investimeve kanë qenë investimet private ndërsa investimet publike kanë qenë thuajse në të njëjtin nivel duke lëvizur lehtësisht nga 5.1% në 6.6% të PBB-së, përveç viteve 2008-2009 (vija e verdhë).

Së dyti, investimet publike edhe kur kapën nivelin 9.6% të PBB -së, qartazi ushqyen rritjen ekonomike të vitit kur u realizuan dhe nuk arritën të ushqejnë rritjen ekonomike në vitet pasardhëse. Kjo vihet re në uljen drastike që ka pësuar rritja ekonomike në vitet pasardhëse. Kjo mungesë e mbështetjes së rritjes afatgjatë nga investimet publike, është rrjedhojë e prioritizimit të keq, përzgjedhjes së projekteve, si  dhe faktit që kostot e financimit të këtyre investimeve kanë tejkaluar rritjen ekonomike të gjeneruar në vitet pasardhëse. P.sh, edhe pse sot mund të dëgjoni akoma deklarata politike që Rruga e Kombit ishte prioritet ekonomik për Shqipërinë, nuk do të jeni në gjendje të gjeni qoftë edhe një studim të vetëm që tregon sa është rritja ekonomike që kjo rrugë gjeneroi pasi u ndërtua, dhe a i tejkaloi kjo rritje kostot e borxhit të marrë. Për këto arsye Shqipëria renditet nga FMN, në kuartilin e tretë (poshtë mesatares) për sa i përket cilësisë ekonomike të investimeve publike.

Së treti, vihet re që rritja ekonomike rreth 6% garantohet kur investimet private kalojnë pragun 25% të PBB-së, një rregull tjetër i vërejtur në disa vende në zhvillim. Nëse niveli i tyre bie nën këtë kufi ato nuk janë më në gjendje të ushqejnë rritjen ekonomike. Në 2019-n ato kanë rënë në nivelin dëshpërues të 16.8% të PBB-së. Por një faktor edhe më negativ është venë re së fundimi. Në tri vitet e fundit ka pasur një rritje të investimeve në sektorin e ndërtimit, i cili nuk rrit produktivitetin e ekonomisë dhe një ulje të tyre në sektorin e industrisë dhe prodhimit, i cili është baza e rritjes së produktivitetit në ekonomi.

Ne nuk duhet të harrojmë, që për të gjitha ekonomitë në të gjitha nivelet e zhvillimit që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri tek India, është industria prodhuese e cila kryen 80% të kërkim-zhvillimit në sektorin privat si dhe është gjeneruesja e 40% e rritjes së produktivitetit (Sipas McKinsy Global Institute).

Pyetja kryesore, që pret përgjigje është si do të drejtojmë investimet private drejt aktiviteteve prodhuese kur struktura jonë ekonomike është e tejngopur me kompani të vogla, të cilat operojnë në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve ku edhe produktiviteti është i ulët? Nuk duhet mohuar, që ndihma europiane, e cila besoj do të ofrohet kryesisht si kredi me norma të ulëta interesi, do të kishte disa efekte pozitive, nëse do të ishim në gjendje të hartonim projekte të standardeve europiane për përthithjen e këtyre financimeve, por vështirë se do të zgjidhte problemin e strukturës produktive të ekonomisë shqiptare.

Së pari ajo do të ofronte një zgjidhje për dilemën gjeopolitike në rajon, i cili së fundmi ka shprehur qartazi mëdyshje se kush do të jetë “partneri strategjik ekonomik i tij” Europa, Amerika apo Kina. Së dyti, çdo lek i injektuar në ekonomi do të shërbente si një kontributor afatshkurtër në rritjen e saj, por në të njëjtën kohë nuk duhen harruar që nëse ky lek është financim i huaj shoqërohet me dy risqe të cilat janë edhe përcaktuesit e mbështejtes afatgjatë që këto investime do t’i japin ekonomisë. E para a do të jemi në gjendje të zgjedhim dhe financojmë projekte ku kostoja e financimit është më e ulët se rritja ekonomike e gjeneruar në vitet pasardhëse? Dhe e dyta por jo më pak e rëndësishme a do të kontribuojë kjo ndihmë në rritjen e dembelizimit në politikëbërjen ekonomike, duke na lënë gjithë kohën në statusin e nevojtarit?

Qartazi politikëbërja jonë, jo fare rastësisht, por sepse është e zënë në kurthin e dembelizimit në formëzimin e politikave, trajton si çudibërës ekonomik rindërtimin pas tërmetit duke e parë atë si të vetmin mjet të rimëkëmbjes pas magjisë së  uljes së taksave. Jo fare rastësisht flitet rrallë ose aspak për politikat afatgjata edhe komplekse të rritjes së prodhimit apo të produktivitetin.

Pikërisht për këto arsye Dambisa Moyo nëse do të fliste shqip, do të këshillonte – Ju padyshim jeni në klubin e vendeve me pozitë të rëndësishme gjeopolitike, të pasur me burime natyrore, por të varfër në vizion për shkak të institucioneve ekonomike dhe politike Infatile. Çdo ndihmë e huaj për ju mund të lind e vdekur, për sa kohë që mund të shërbejë edhe padashje si një pengues në  funksionimin edhe zhvillimin  e mekanizmave të  përgjegjësisë në politikëbërje, për sa kohë që mund të zvogëlojë presionet për reformat e nevojshme në ekonomi, duke inkurajuar një sjellje përfituese pasive dhe parazitare në politikëbërjen ekonomike.