Në çdo takim zyrtar, protokolli përmban edhe foto të cilat publikohen në faqet zyrtare të institucioneve që përfaqësojnë personazhet e fotografura. Veç momentit protokollar, ato dokumentojnë figurativisht marrëdhëniet dhe raportet e atij që i publikon me zyrtarin në foto. Në rast se shkrepja e aparatit fikson momente të papërshtatëshme të ndonjë personi, ato kurrësesi nuk publikohen.
Këtë ka shpërfillur ai që ka publikuan në faqen zyrtare të Kryeministrisë foton e takimit të Kryeministrit me Presidentin e Republikës, z. Bajram Begaj në Presidencë më 17 mars.
Ata që e publikuan atë duhej të mos harronin se fotografitë protokollare synojnë të shfaqin një imazh të atyre që takohen zyrtarisht dhe, ai imazh, përcillet që të ndikojë figurativisht drejtpërdrejtë në opinionin publik.
Publikimi në Faqen Zyrtare të Kryeministrit të momentit që aparati ka fotografuar Presidentin e Republikës së Shqipërisë është (pak të thuash) qesharak…

Kësisoj, duke mos treguar respekt ndaj figurës së Tij, publikimi i pakujdesshëm i asaj fotoje, dëshmon për një respekt të munguar edhe ndaj publikut që e ka zgjedhur në atë post Edi Ramën…
Ata që e publikuan kanë harruar se fotografitë protokollare nuk kryhen vetëm për të dokumentuar një takim zyrtar. Meqenëse përdoren në media, është shumë e rëndësishme që ato, jo vetëm të jenë të bëra me kujdes maksimal dhe profesionalizëm të lartë, por duhet të garantojnë siguri se ato janë të përdorshme për to. Këto foto, kurrësesi nuk duhet të transmetojnë imazhe që mund të keqkuptohen nga publiku… Dhe jo më, denigruese të figurës së personalitetit më të lartë të shtetit.

Prandaj, në situata të tilla, përpara objektivëve të aparatëve fotografikë, është e rëndësishme që një udhëheqës të tregojë një sjellje të përgjegjshme dhe të respektojë personat e tjerë. Denigrimi i personave të tjerë në fotot që publikohen është një sjellje e pakuptimtë dhe e papërgjegjshme, dhe mund të shkaktojë dëm reputacioni për ata që janë të përfshirë. Fjala vjen, kur një kryeministër pozon për t’u fotografuar, nuk duhet të kujdeset vetëm për imazhin e tij.
Edhe kur i publikon fotot, ai ka detyrimin moral që të kontribuojë në zhvillimin e një kulture të respektit dhe tolerancës në shoqërinë të cilën ai udhëheq.
Në të kundërt, çdo sjellje e pakujdesshme dëshmon për arrogancë e denigrim, jo vetëm ndaj personazhit në foto, por edhe për publikun të cilit ajo i serviret.
Prandaj, publikimi i fotos në fjalë, turpëron më shumë atë që e publikoi…
Duke qenë se arroganca vjen nga një ndjenjë e vlerësimit të tepruar të vetes, padyshim ajo ndikon edhe në sjelljen e këtij personi ndaj të tjerëve. Sidomos ndaj vartësve të tij.
Një kryeministër mund ta shohë veten e tij si më të rëndësishëm ose më të mirë se personazhi tjetër i fotos, por ai kurrësesi nuk mund ta shfaqë publikisht këtë dhe, aq më tepër, vartësit, që menaxhojnë Faqen Zyrtare të tij, nuk mund ta bëjnë këtë. Kjo është e turpshme.
Mendojmë se pikërisht arroganca, kjo ndjenjë e ultësimit të të tjerëve, e ka lënë tashmë pa një staf dinjitoz e profesional Kryeministrin e Shqipërisë.
Një person arrogant e ka mënyrë sjelljeje gati të pavullnetshme dhe mund t’i denigrojë të tjerët në mënyra të ndryshme, psh, duke i ulur apo duke i bërë ata të ndjehen si më pak të rëndësishëm…, deri në vasalitet…
Për rastin skandaloz të fotos në fjalë, nuk duam ta besojmë se ishte i qëllimshëm nga ana e Kryeministrit Edi Rama, por jemi të sigurtë se, kurrësesi, ajo foto nuk do të publikohej në një rast të anasjelltë.
Gjej rastin t’i kujtojmë z.Rama se, përpjekja për të drejtuar vëmendjen vetëm në veten e tij, as më pak e as më shumë, është arrogancë.
Refuzimi për të dëgjuar, është gjithashtu arrogancë.
Vetëm një arrogant mund të refuzojë të dëgjojë këshilla ose sugjerime nga të tjerët dhe të besojë se vetëm ai ka të drejtë në marrjen e vendimeve.
Prandaj, shkakun e skadalit të publikimit të fotos denigruese, që e paraqet Presidentin e Republikës si një “vasal” të Kryeministrit, duhet ta kërkojmë te arroganca e këtij të fundit dhe askund tjetër.
Kujt nga stafi i tij do t’ia mbante ta paraqiste në një pozicion qesharak atë?
Në këto kushte, qeveritarët,stafi e gjithë bashkëpunëtorët e tij, në vend që t’u shërbejnë interesave të popullit dhe vendit, ata mund të fokusohen vetëm në kënaqësimin e kryeministrit dhe në ndjekjen e agjendës së tij të arrogancës.
Përveç kësaj, kur kryeministri është arrogant dhe stafi i tij kujdeset vetëm për të, kjo zgjon dyshime të qenësishme për mungesë serioziteti në funksionimin e qeverisë dhe në mënyrën se si ajo i shërben interesave të popullit dhe vendit.

Prandaj, publikimi i asaj fotoje flet sa 1000 fjalë për turpin e atij që e plublikoi…

Engjëll Nova