Bashkë me investitorin e Emaar Group, Mohamed El Alabbar, kryeministri Edi Rama inspektoi zonën ku do të ndërtohet porti i ri i Durrësit, të konsideruar si një investim historik nga kreu i qeverisë. Pranë El Alabbar, Rama nuk e frenoi ambicien.

“Pra Monako duhet të trembet?”, deklaroi kryeministri, “Po pse duhet të jetë më e mirë Monako?? Pse mos të jemi ne më të mirët, nuk duhet të jemi të ndrojtur, duhet ta bëjmë, do ta bëjmë!”, u përgjigj sipërmarrësi nga Dubai.

Pjesë e rëndësishme e projektit, do të jetë dhe pastrimi i zonës ku do të realizohet faza e parë, ndërsa biznesmeni do të financojë dhe një shifër të konsiderueshme për pastrimin e ujit të detit përgjatë plazhit.

“Jam i sigurt që banorët e Durrësit dhe qytetarët e Shqipërisë do t’ju jenë mirënjohës për këtë ndërhyrje mjedisore, sepse ka qenë e pamundur për ne që ta bënim të vetëm. Pastrimi i kësaj pjese të plazhit, është diçka historike për qytetin, sepse ky qytet ka vuajtur për një kohë të gjatë nga ndotja dhe marrëzia”, shtoi Rama.

Sipas ministres Balluku, lidhur me investimin po punohet teknikisht, që punimet të nisin brenda pranverës së 2022-it.

“Brenda Marsit, të nisim nga puna për projektin brenda pranverës. Pas detajeve teknikeve do të kemi edhe hapjen e garës, kemi çliruar një pjesë të ambienteve dhe faza e parë do të ketë mundësi për nisjen nga puna. I gjithë projekti si një projektligj do të shkojë në parlament për të marrë edhe aprovimin”, deklaroi ai.

Faza finale e projektit që synon të realizojë EMAAR grup parashikon ndërtimin e marinës, hoteleve, apartamenteve dhe qendrave tregtare në një kosto investimi prej 2 miliardë eurosh, vlerë që kompania pretendon ta shumëfishojë përmes të ardhurave nga shfrytëzimi i këtyre shërbimeve.