Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka uruar Bajram Begajn për zgjedhjen e tij në krye të shtetit shqiptar.

Ambasada ruse në Tiranë, ka bërë me dije përmes një postimi në rrjetet sociale, se Putin i ka përcjellë urimet Begajt dhe i ka uruar suksese në detyrën e tij të re.

“Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, i ka përcjellë urime z.Bajram Begaj për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe i uroi shëndet dhe suksese në detyrën e tij më të lartë shtetërore”, shkruan ambasada ruse.

Bajram Begaj u zgjidh president pas votimit në seancën plenare të Kuvendit më 4 qershor.

Ai u propozua nga Partia Socialiste dhe u votua me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim, duke marrë edhe një votë nga opozita, ndërsa Berisha dhe Alibeaj e bojkotuan votimin.