Një aeroport në Finlandë po përdor qentë nuhatës për të identifikuar pasagjerët e infektuar me koronavirus.

Eksperimenti po zhvillohet në Aeroportin e Helsinkit, ku janë vendosur 10 qenë të trajnuar nga një agjenci vendase. Nisma pasoi një studim të kryer nga Fakulteti i Veterinaarisë në Universitetin e Helsinkit, që sugjeron se qentë e trajnuar mund të nuhasin praninë e Covid-19 me një siguri deri në 100 për qind.

“Jemi të parët dhe me aq sa dimë ne deri më tani asnjë aeroport tjetër nuk është përpjekur që të përdorë qentë për të nuhatur Covid-19”, tha operatori finlandez i aeroporteve, “Finavia”. Finlandezët besojnë se ky mund të jetë një hap i madh drejt mposhtjes së koronavirusit të ri.

Si funksionon? Pasagjerëve u kërkohet që të fshijnë lëkurën e tyre në pjesën e fytyrës me një letër të lagur. Më pas, letra hidhet në një kuti të posaçme dhe u dërgohet qenëve për “ekzaminim”. Procedura është zgjedhur si për të mbrojtur anonimatin e personave që mund të rezultojnë pozitivë, ashtu edhe stafin që kujdeset për qentë.

Ata që rezultojnë pozitivë sipas nuhajtes së qenve u nënshtrohen më pas testimeve tradicionale me tampon. Agjencia e trajnimit të qenve “Wise Nose” thotë se deri më tani, qentë kanë nuhatur koronavirusin me një saktësi 100 për qind.