Këshilli i Ministrave ka miratuar kontratën koncesionare me konsorciumin Mabetex, YDA Group dhe 2A group për nisjen ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Kontrata u firmos një muaj më parë nga Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe përfaqësuesit të kompanive fituese, ndërsa pritej zyrtarizimi i saj nga qeveria që të hynte në fuqi për t’u zbatuar.

Sipas marrëveshjes koncesionare puna pritet të fillojë brenda 14 muajsh, periudhë e cila parashikon studimin e plotë mjedisor dhe operacional të pistës, duke qenë se ndodhet në afërsi të zonës së mbrojtur të Lagunës së Nartës.

Punimet ndërkohë pritet të përfundojnë 2 vjet pasi të jetë bërë studimi i terrenit, në shtator të vitit 2024. Në bazë të kontratës, kompanitë fituese do të investojnë 103.9 milionë Euro dhe do të marrin për 35 vjet menaxhimin e tij, duke siguruar të ardhura përmes tarifave aeroportuale.

Aeroporti i Vlorës do të shërbejë edhe si bazë për flotën e avionëve Air Albania, ndërsa për herë të parë aty do të ketë një zonë të veçantë për mirëmbajtjen e avionëve, një shërbim i ri i kërkuar nga kompani të huaja.

Koncesioni bazohet në formulën: ndërtim–operim–transferim, ku investimi do të jetë privat, ndërsa buxheti i shtetit merr përsipër të garantojë të ardhurat minimale në 10 vitet e para nëse do të jenë më të ulta se 140 milionë Euro. Vendndodhja është në zonën e Akërnisë në Vlorë, 10 minuta larg aksit kombëtar Levan-Vlorë.