Aktualisht në thesarin e shtetit janë depozituar 112 milionë euro fatura që duhen të shlyhen nga taksapaguesit shqiptar për çështje të humbura të qeverisë shqiptare në gjykatat e arbitrazhit.

Për të amortizuar kostot që po vijnë nga këto vendime qeveria shqiptare ka miratuar një projektligj që synon të zgjidhë mosmarrëveshjet me palët pa shkuar në gjykatat e arbitrazhit.

Aktualisht Shqipëria ka hendek ligjor për tu përballur me problematikën e re që ka ardhur si pasojë e vendimeve të padrejta të qeverisë ndaj kompanive, siç ishte rasti i zotit, Becchetti, i cili fitoi një çështje në arbitrazh kundër qeverisë shqiptare me një shumë dëmshpërblimi prej gati 100 mln eurosh.

Sakaq, qeveria nëpërmjet ligjit të ri synon t`i japë zgjidhje disa problemeve ligjore me të të cilat ndeshët në praktikë. Lidhur me përkufizimin e arbitrazhit aktualisht nuk ka një term të përcaktuar zyrtarisht por është e gjithëpranuar se arbitrazhi konsiston në një procedure konsensuale të mbështetur në marrëveshjen midis palëve. Arbitrazhi qoftë ai i brendshëm dhe ndërkombëtar ka disa karakteristika specifike.

Mungesa e një kuadri të brendshëm ligjor që rregullon arbitrazhin në nivelin kombëtar, nuk u ka mundësuar subjekteve të së drejtës që të gjejnë rrugë alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Një faktor i rëndësishëm është dhe paqartësia dhe pamjaftueshmëria e kuadrit të brendshëm ligjor. Shfuqizimi i dispozitave përkatësisht nenet 400-441 që rregullojnë arbitrazhin në Kodin e Procedurës Civile, ka lënë një terren vakant dhe ka krijuar vakum ligjor prej vitit 2013.

Ekspertët e qeverisë që kanë hartuar projektligjin argumentojnë se, qëndrimi tradicional i bizneseve por edhe i shoqërisë shqiptare për t’iu drejtuar gjykatave, në vend të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me metoda të tjera alternative vjen si pasojë e një njohje të ulët juridike. Hartimi dhe zbatimi i ligjeve në një shoqëri është i lidhur ngushtë me vetëdijen juridike të saj. Por gjithashtu arbitrazhi dhe në përgjithësi mënyrat alternative për zgjidhjen e konflikteve përbënjë një fenomen të ri dhe mbetet ende i panjohur për shoqërinë shqiptare.

Për shkak të influencës së faktorëve ekonomike-shoqërore të tranzicionit në vendin tonë, shoqëria shqiptare por kryesisht edhe bizneset karakterizohen nga një mungesë e theksuar e besimit në sistemin e drejtësisë të gjykatave shqiptare. Dhe si pasojë kanë qenë të pakta rastet në të cilat shoqëria shqiptare apo dhe bizneset ti drejtoheshin arbitrazhit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kushtet që sistemi i drejtësisë sigurohet me vështirësi nga shteti, analizojnë ekspertet.