Njëmbëdhjetë infermierë humbën jetën gjatë periudhës mars 2020-maj 2021 në Shqipëri për shkak të COVID-19. Përkushtimi i tyre në përballimin e pandemisë u kujtua sot gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Amfiteatrin e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve”.

Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ambasadorët e SHBA dhe BE-së, Yuri Kim e Luigi Soreca shprehën vlerësimet maksimale për infermierët që dhanë gjithçka pavarësisht vështirësive me të cilat u përballën.

Kryeministri Rama tha se për qeverinë e tij do të jetë parësor caktimi i një ndihme të posaçme për fëmijët e të rënëve në krye të detyrës gjatë pandemisë. Ai tha se shteti do të kujdeset për fëmijët e tyre.

“Vendimi i parë i qeverisë së re do t’ia kushtojmë atyre që quajmë me plot gojës fëmijë të Republikës, vajzat dhe djemtë e të gjithë njerëzve që i kanë shërbyer qytetarëve dhe shtetit dhe kanë rënë në krye të detyrës dhe fëmijët e të rënëve në krye të detyrës mes bluzave të bardha nuk do jenë vetëm pasi me këtë ligj të ri, për ta deri në ditën e daljes së tyre të pavarur në jetë do të kujdeset shteti në mënyrë të posaçme,” – u shpreh Rama.

Më tej kryeministri ka përsëritur premtimin që kishte bërë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit, kur tha se infermierëve do t’u rritet paga me 40% përgjatë mandatit të tretë.

“Dua t’ju them përsëri kur zgjedhjet kanë mbaruar që rritja e pagës së infermierëve ka qenë e konsiderueshme, por e pamjaftueshme. Kështu që angazhimi ynë për ta rritur pagën brenda këtij mandati të ri që fillon në Shtator dhe hap pas hapi 40% është një angazhim që mbetet dhe që ne do ta përmbushim 100%”, deklaroi ndër të tjera Rama.

Rama theksoi gjithashtu se vendet e punës së infermierëve sot janë më të sigurta dhe mbajtja e pozicionit bëhet sipas të drejtës.

Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë kujtoi 11 infermierët e ndarë nga jeta pas prekjes nga COVID-19, fotografitë e të cilëve qenë ekspozuar në amfiteatër. Ajo tha se ata “janë humbje e madhe për sistemin e shëndetësisë”, megjithatë theksoi se falë punës së gjithë sektorit u arrit që të përballohej e gjithë situata, sidomos në javët e para të muajit mars.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, përgëzoi për përkushtimin infermierët duke thënë se ata “janë heronj” dhe kanë qenë frymëzim për të gjithë. Ambasadorja theksoi se SHBA-të kanë mbështetur me rreth 4 miliardë dollarë mekanizmin COVAX për të mbështetur vendet si Shqipëria në përballimin e pandemisë. Kim garantoi se SHBA-të do të jenë krah Shqipërisë “deri sa të shihet dritë në fund të tunelit”.

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca vlerësoi gjithashtu stafin mjekësor dhe infermierët në Shqipëri. Ai tha se infermierët u përballën me mbingarkesë pune teksa vendi kishte nevojë më shumë se kurrë për staf. Për këtë Soreca u shpreh se BE po ndihmon Shqipërinë për të përmirësuar vendet e punës dhe shtuar kapacitetet e punonjësve. Gjithashtu Soreca tha se BE ka mbështetur me rreth 10 milionë euro Shqipërinë për vaksinat anti-COVID.

Më tej ministrja Manastirliu, ambasadorët Kim e Soreca dhe personalitete të fushës së mjekësisë shpërndanë certifikata mirënjohjeje për stafet e infermierëve si ato të urgjencës, spitaleve universitare, rajonale e më tej.