Nga Bedri Islami

Në ditët e fundit, krejt befas, por jo rastësisht, ndodhën disa lëvizje të ndjeshme, të cilat turbulluan mjaft ujëra dhe, si duket, qetësimi i tyre do të jetë i vështirë. Dy nga ministrat kryesorë të qeverisë Rama, njëri pas tjetrit, fillimisht ajo e Arsimit, Besa Shahini dhe, menjëherë pas saj, ai i Punëve të Brendshme, Sander Lleshi, deklaruan se nuk do të jenë më pjesë e qeverisë së të majtës, edhe nëse ajo do të fitojë zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm. Megjithëse që të sy, përsëri njëri pas tjetrit, deklaruan se e ardhmja e Shqipërisë e kërkon që e majta dhe Rama të qeverisin edhe në mandatin e tretë, si e vetmja rrugë për daljen nga gjendja e krijuar, përsëri shija që lanë pas vetes ishte e hidhur.

Sado që mes tyre dhe shefit të qeverisë të ketë pasur një diskurs të përbashkët qëndrimi, shpallja privatisht, si të lajmëronin se po iknin nga një ndeshje futbolli, të çon në një problem që është edhe më  ndjeshëm se sa kaq: Ardhja e beftë në radhët e së majtës të një ciklimi njerëzish, të cilët, deri pak më parë , ose kanë qenë në aneksin e së majtës, ose nuk kanë pasur asnjë lidhje me të. Ata, si deklaroi në debatin e parë televiziv zoti Lleshi, më shumë e kishin marrë përsipër detyrën si një detyrim mbështetje ndaj shefit të qeverisë, ose, në rastin e zonjës Shahini, si një prurje nga viset shqiptare të Përtejdrinit, një zgjidhje e njohur deri në vitin 1924, kur në parlamentin shqiptar kishte deputetë nga këto zona, ndonjëri nga të cilët, si Hoxhë Kadriu, do të ishte ministri i parë i drejtësisë në qeverinë e Lushnjes.

Shahini, një ministre e pabujë dhe, si pak herë, pa asnjë skandal mbi vete, më shumë e ndjekur nga iluzionet për shtetin amë, si ish anëtare e Lëvizjes VV që kishte qenë dikur, mendoi se koha për t’u kthyer në familjen e saj kishte ardhur, dhe këtë, e shpalli si një lajm vetjak, e perceptueshme për të, normale njerëzisht, por e pagjetur dhe e pajustifikuar politikisht dhe për nga besimi që i ishte dhënë.

Ministri Lleshi, dorë  e fortë, me një ngjasim bonopartian në fillimet e ditëve të tij si ministër, i qëndrueshëm në përballjen me opozitën, – njëjtë do të kishte vepruar edhe nëse përballë tij në detyrën si ministër i brendshëm të kishte pasur një opozitë socialiste, sepse ai është rob i detyrës – në largimin e tij ndjehej lodhje, puna që i ra befas mbi shpinë kishte qenë më e rëndë nga sa i ishte dukur fillimisht, terreni kishte qenë ndryshe nga zyra dhe, megjithë dëshirën e mirë, pak gjëra kishin ndryshuar.

Si për të dashur të verë një “pikë mbi i”, largohet edhe Plarent Ndreca nga detyra e tij si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, edhe ai një figurë e ardhur rishtas në të majtën dhe më shumë i njohur si militant i tenderëve, se sa i së majtës.

Edhe në disa dikastere të tjerë drejtuesit janë më shumë përzgjedhje e shefit të qeverisë, se sa njerëz që kanë lidhje të ndjeshme, bazike dhe të qëndrueshme me të majtën.

Një president i madh francez, Miteran, ndoshta më i kulturuari dhe më autoritari në postin e tij, kur do të kandidonte për të majtën në postin e Presidentit të Republikës Franceze bëri kërkesën e tij në strukturat e partisë: T’i jepnin në fushatën e tij 200 militantë, që të ishin përkrah tij, të ndriçonin rrugën që do të bënte, të sillnin ide dhe të kishin vizionin e duhur për të ardhmen.

E majta në pushtet, pas dy mandatesh dhe pas lodhjes qeverisëse, ka nevojë pikërisht për tërheqjen, në pushtet ose rreth tij, të njerëzve militantë – jo mitingashë e as të përkohshëm – të cilët u përkasin ideve të së majtës europiane, njerëz me personalitet të fuqishëm, që nuk kanë droje të kundërshtojnë shefin e tyre, të ecin në këmbë drejt shtëpisë dhe të jenë të mbrojtur mbi të gjitha nga opinioni i popullit.

Të çastit apo të përkohshmit në qeverisjen e së majtës, të cilët, po aq shpesh sa kujtohen, aq shpejt edhe harrohen, ose edhe më tej, bëjnë më pas opozitarin pikërisht ndaj forcës politike që i bëri njerëz e me emër, e jo pak herë edhe të pasur, shpesh herë bëjnë diçka që ndjehet tek votuesit e kësaj force politike: largimin dhe ftohjen. Nëse në qeveri apo në drejtori të rëndësishme janë thirrur njerëz që nuk kanë asgjë të përbashkët me të majtën dhe, më tej, as nuk e dinë programin apo vizionin e saj, atëherë edhe pak mund të pritet.

Emërimi i zotit Erion Braçe, në postin e zëvendëskryeministrit, u prit me duartrokitje nga Këshilli Kombëtar i PS-së dhe ishte i vetmi emërim që u prit kësisoj, sepse , edhe për këtë forum, disa nga të emëruarit e që më pas ngritën duart e miratimit, nuk ishin të njohur dhe disa pçrej tyre as që i kishin parë ndonjëherë.

Qeverisja 8 vjeçare e së majtës ka sjellë ndryshim në forcimin e konceptit të shtetit, por edhe ka rritur ndikimin e oligarkisë pushtetore në mekanizmat ekonomikë. Të qeverisësh tetë vite, duke pasur mbi vete tri gremina e kriza të mëdha: greminën financiare të vitit 2013, që ishte qindra milionë euro dhe për të cilën më pas, arkitekti i saj, Bode, u “delegua” në Bordin e Bankës Shqiptare, tërmetin e nëntorit 2019 dhe pandeminë e frikshme të këtij viti, do të thotë të mos jesh në të njëjtat kuota besimi ku edhe ke nisur qeverisjen. Duke i shtuar këtyre edhe mosndëshkimin e së keqes dhe pranimin e saj si mjet kompensimi politik, tenderët e frikshëm dhe të pakapshëm, atëherë nevoja për një ndryshim drejt afrimit të atyre që janë në të vërtetë njerz të devotshëm, të ditur dhe të afeksuar ndaj vendit, është domosdoshmëri.

Thirrja e çastit, nganjëherë me kohë të pjesshme e një numri të panjohur figurash që bëhen politike vetëm pasi emërohen në poste të larta, nuk e afron as Rilindjen dhe as të Majtën me bazën e saj, përkundrazi e largon. Një votues që nuk di  as gjysmëm e emrave të qeveritarëve për të cilët ka votuar nuk mund të ngrohet më vetëm nga figura e shefit të qeverisë: tani ai kërkon ekipin dhe këtë ekip e kërkon mes vetes, tek njerëzit që ai i njeh krejt mirë, që i ka provuar, që janë militantë të së majtës e jo mitingashë, që kanë ide dhe jo synimin përfitues, që janë të denjë për një vizion ndryshe dhe jo klloçkitës në furrikun qeveritar.

E Majta në Shqipëri jo pak herë ka vuajtur pikërisht nga kjo mendësi politike: besimin e çastit, pa e ditur se në cilën provë ka shkuar, çfarë bagazhi ka dhe çfarë synimi drejt të tjerëve.

Që nga themelimi i saj, ose më saktë, që nga Kongresi i parë i saj, e Majta në Shqipëri është shquar për grumbullimin rreth vetes të një brezi epokal të intelektualizmit shqiptar. Më shumë se gjysma e kryesisë së saj të parë ishin doktorë profesorë, figura të shquara në fushat e tyre, të cilët edhe sot ndjellin respektin e besimin e njerëzve, ose kanë mbetur simbol të jetës së ndershme dhe të përkushtuar, mes tyre edhe tre kolosë që nuk janë më, Driëtëro Agolli, Moikom Zeqo dhe Sabit Brokaj.

Edhe pse mund të mos jenë shumë në këto përmasa, e Majta ka mundësinë të grumbullojë rreth vetes pikërisht këto vlera, të cilët, aq sa i bëjnë nder asaj, aq janë të dobishëm për këtë vend.

Rrugë tjetër nuk ka.