Të paktën pesë persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën të premten nga një sulm ajror rus mbi qytetin Sloviansk në lindje të Ukrainës. Sipas Policisë Kombëtare të Ukrainës, raketat ruse S-300 goditën 10 ndërtesa banimi dhe objektiva të tjera. Dy katet e sipërme të një ndërtese pesëkatëshe u shembën pas sulmit.

Një fëmijë i mitur u nxor i gjallë nga rrënojat, por vdiq rrugës për në spital, tha Daria Zarivna, një zyrtare e lartë në zyrën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Guvernatori rajonal i Donetskut, Pavlo Kyrylenko, tha gjithashtu se shtatë persona besohej se ishin bllokuar nën rrënoja.

Rusia shton përpjekjet në Bakhmut

Trupat ukrainase janë detyruar të tërhiqen nga disa pjesë të qytetit Bakhmut pasi forcat ruse ndërmorën një sulm të ri në qytetin e shkatërruar nga lufta.

Në vlerësimin e saj të përditshëm, ushtria britanike tha të premten se, “Rusia ka ringjallur sulmin e saj në qytetin Bakhmut të rajonit Donetsk pasi forcat e ushtrisë ruse dhe Grupi Wagner kanë përmirësuar bashkëpunimin”.

Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia ka tërhequr trupat nga zona të tjera në front për të krijuar premisat e një sulmi të madh në qytetin Bakhmut, të cilin Moska është përpjekur për nëntë muaj që ta marrë, për të rifituar vrullin e fillimit të agresionit në shkallë të gjerë më shumë se një vit më parë.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes së Ukrainës, Hanna Maliar, tha se komandantët rusë i kishin sjellë trupat në Bakhmut nga zona të tjera. Njoftimet nga ushtria britanike thonë se ukrainasit ende kontrollojnë pjesët perëndimore të qytetit por dy ditë më parë ishin sulmuar ashpër nga zjarri i artilerisë ruse.