Kryeministri Edi Rama u ndal gjatë konferencës edhe tek projektet infrastrukturore të kryera gjatë vitit 2021, por edhe për ato që pritet të zhvillohen vitin e ardhshëm. Është hapur kantieri i Aeroportit të Vlorës, tha Rama, ndërkohë që njoftoi se janë pranë finalizimit marrëveshjet e fluturimit për aeroportin e Kukësit.

“Jemi afër finalizimit të marrëveshjeve të rëndësishme të fluturimeve për Aeroportin e Kukësit. Informacionet e fundit janë shumë inkurajuese dhe nuk dua të jap data, por besoj që le të themi maksimumi në pranverë Kukësi do të jetë një aeroport plotësisht funksional me kosto të ulët”, tha Rama.

Sa i përket aeroporteve, Kryeministri shtoi se janë ulur çmimet në aeroportin e Tiranës. Rama shtoi se është gati plani për terminalin e dytë dhe zgjatimit të pistës. Një tjetër çështje është edhe Unaza  e Tiranës. Aty ai tha se ka një çështje të rëndësishme sociale me një numër banesash që duhen prishur për t’i hapur rrugë ndërtimit të unazës.

“Këtu do i kthehem fatit që ka të bëjë me një mësim dhe me një frymëzim që ka të bëjë me gjithë programin e rindërtimit. Sot kemi kapacitetet, kemi dijen dhe kemi besimin e lidhur me këto të dyja për një program të ri kombëtar strehimi. Këto vepra, që flasin vetë, nuk po i komentoj unë, me standarde krejt të reja urbanistike dhe sigurie në aspektin e mbështetjes sociale për njerëzit në nevojë për shtëpi na japin mundësinë që sot të angazhohemi me një program të ri strehimi dhe të vazhdojmë përtej tërmeteve. Nuk do të presim të bjerë tërmet tjetër për të ndihmuar familjet që kanë nevojë për strehim, kuptohet me skema financiare shumë të lehta për familjet dhe çiftet e reja. Janë dy kategori dhe banesat që do të jenë pjesë e prishjeve për Unazën, por edhe në zonat e tjera të vendit ku nuk është çështje prishjesh apo njerëz që kanë nevojë për strehë të re do të trajtohen me këtë program. Familjet e atyre banesave do u japin direkt bonusin e qirasë. Pika e dytë  do të jetë kontrata, apo angazhimi zyrtar për  t’i pajisur me banesa të reja sociale, natyrisht sipas kushteve të numrave të familjes etj”.

Kreu i qeverisë ceku edhe Rrugën e Arbrit, e cila sipas tij e kthen Dibrën në “jastëkun e gjelbër të kryeqytetit”. Sa i përket tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë, Rama tha se puna ka qenë intensive dhe beson “sezoni i ardhshëm veror do ta sjellë Sarandën shumë më afër Tiranës”.