Kryeministri Edi Rama nuk komentoi vendimin e SHBA-së për të shpallur “non grata” ish-liderin e PD-së, Sali Berisha.

 

Në një prononcim për mediat nga sheshi “Skënderbej”, Rama tha se më shumë rëndësi kanë vaksinimi dhe rindërtimi.

 

Angazhimi i shefit të qeverisë është që gjatë këtij mandati të tretë, të lërë pas retorikën e ashpër politike.

 

“Unë jam 100% i fokusuar te punët dhe nuk e kemi ndalur punën asnjë ditë, gjatë fushatës dhe pas fushatës. Nuk ka kohë për pushim. Jam shumë i vendosur që ne të çelim një rrugë të re në aspektin e komunikimit publik dhe të shmangim të gjitha ato aspekte që e kanë kthyer jetën politike të vendit në një telenovelë rraskapitëse për njerëzit. Për mua ka shumë më tepër rëndësi sesa vaksina kryhen gjatë ditës, sa përparojnë kantieret e ndërtimit gjatë ditës, sa i përmbushim angazhimet tona. Ne jemi duke punuar intensivisht për mandatin e tretë dhe së shpejti do të dalim përpara shqiptarëve me programin e angazhimeve konkrete në Kongresin tonë të qershorit.”