Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza ndaj drejtuesit të opozitës, Lulzim Basha, pas marrëveshjes që ai bëri ditën e djeshme me LSI-në për koalicion.

Kryetari i mazhorancës komentoi fillimisht deklaratën e Presidentit Ilir Meta ditën e djeshme, i cili tha se do të dorëhiqet nëse Rama fiton 71 mandate dhe do të drejtojë opozitën. Për kreun e qeverisë, në zgjedhjet e 25 Prillit, shqiptarët zgjedhin mes drejtësisë dhe Ilir Metës.

“Në një farë mënyre Ilir Meta duhet falenderuar sepse ka sqaruar plotësisht ekuacionin e referendumit, i cili ishte një ekuacion i paplotë me vetëm njërën anë që në 25 Prill referendumi popullor do të shpërbëjë reformën në Drejtësi. Tani Ilir Meta i fton shqiptarë në një referendum ku duhet të zgjedhin, me drejtësinë apo me Ilir Metën. Me Reformën në Drejtësi deri në fund apo me Ilir Metën? Zgjedhje më të qartë, më të drejtpërdrejtë shqiptarët nuk mund të kenë më 25 Prill dhe për këtë Ilir Meta duhet falenderuar.”

Rama shtoi se Ilir Meta dhe Sali Berisha fshihet pas marrëveshjes që u firmos ditën e djeshme mes LSI-së dhe PD-së. Kreu i qeverisë tha se ish-kryeministri Berisha dhe Presidenti aktual duan të “lidhin me zinxhirë” kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, i cili sipas Ramës nuk ka “këllqe” dhe është vetëm “menaxher” i selisë blu.

“Sa i përket marrjen e drejtimit të opozitës, kjo besoj është e qartë për ata që shikojnë përtej asaj që duket, mjafton të shikojmë firmosjen e marrëveshjes së djeshme për të kuptuar planin. Plani është i qartë? Pse u firmos marrëveshja dje? Pse? Pse u firmos një marrëveshje nga dy palë që garojnë veç e veç. Për çfarë? Është shumë e thjeshtë, është pjesë e planit për të lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës për llogari të Saliut dhe të Ilirit dhe pastaj ose për të marrë pushtetin dhe për të shpërbërë Reformën në Drejtësi ose për të marrë kokën e Lulit. Ka më thjeshtë se kaq? Dhe është shumë e qartë pse e duan Lulin të lidhur para zgjedhjeve. Këtu problemi nuk është Ilir Meta në pjesën e dytë. Këtu problemi është Lulzim Basha që nuk ka këllqe, s’ka karakterin e një lideri që të mos fshihet as kur i tregojnë çfarë do ti bëjnë të nesërmen, dhe as kur aleati i tij i madh thotë unë amerikanët i kap për veshësh. Është e qartë, por nuk mund t’ia kërkojmë sepse nuk është lideri, është thjeshtë menaxheri i një shoqërie aksionere me dy ortakë, me Ilir Metën dhe Sali Berishën dhe një notere dhe përmbaruese, Monikën. Besoj jam i qartë”.