Kryeministri Edi Rama ka çelur samitin e Ballkanit perëndimor ku marrin pjesë 6 udhëheqësit e rajonit dhe komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi.

Në fjalën e tij hapëse, kryeministri Edi Rama tha se do të diskutohen projekte në fushën e bashkëpunimit ekonomik rajonal.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se ky samit është shenjë e vullnetit tonë për të marrë autorësi rajonale të zbatimit të planit ekonomik edhe investimeve të BE-së dhe tregut të përbashkët rajonal.

“Pjesëmarrja juaj në këtë samit të gjashtë të Ballkanit Perëndimor është shenjë e qartë e vullnetit tonë për të marrë autorësi rajonale të zbatimit të planit ekonomik edhe investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe tregut të përbashkët rajonal”.

Ai i shprehu mirënjohjen komisionerit Oliver Varhelyi që nisi dhe promovoi këtë plan që do të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike të Ballkanit pas pandemisë.

“I jam mirënjohës komisionerit që nisi dhe promovoi këtë plan të madh si instrument kyç që do të na ndihmojë të rimëkëmbemi ekonomikisht në një epokë post pandemike, të punojmë mbi rezistencën ekonomike, të shkojmë drejt rritjes së qëndrueshme dhe të ndërtojmë mbi tranzicionin e gjelbër dhe digjital”.

Në këtë samit, Kosova  përfaqësohet me Kryeministrin Albin Kurti, Serbia me Kryeministren Ana Brnabiç, Maqedonia e Veriut me Kryeministrin Zoran Zaev, Mali i Zi me Presidentin Milo Gjukanoviç dhe Bosnje-Hercegovina me kryetarin e Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija.