Kryeministri Edi Rama gjatë replikave në Kuvend i ka kthyer përgjigje akuzave të deputetes së PD-së, Jorida Tabaku, për korrupsion. Rama tha se Reforma në Drejtësi, e cila është mbështetur nga mazhoranca dhe jo nga opozita, ka dërguar në burg zyrtarë të lartë që kanë qenë të lidhur me partinë në pushtet. Madje sipas Ramës kjo është një arsye pse shqiptarët besojnë Partinë Socialiste.

Sipas kryeministrit, Partia Demokratike e ka “flamurin të arkivuar me një vulë sipër “non grata””. Ai shtoi më tej se, PD bën gjueti shtrigash dhe si parti, janë viktima të gjyqit më të madh të shtrigave që ka ndodhur në vend pas vitit 1990. Sipas  kryeministrit, selisë blu po i ndodh ajo që ka merituar duke paralajmëruar se nuk kjo situatë nuk ka mbaruar akoma.

“Përkundrazi më vjen shumë mirë që ju i përmendni ato që në fakt janë provat e një ndryshimi rrënjësor të cilin po e sjellim ne, jo ju. Nëse sot ka ish-ministra apo deputetë, apo kryetarë bashkie, pra zyrtarë të nivelit më të lartë të lidhur me partinë në pushtet që janë në dyert e drejtësisë kjo nuk është një diçka që ka ardhur nga qielli. Ky është një zhvillim që ka ardhur nga Reforma në Drejtësi. Është rezultat i kërkuar me këmbëngulje prej nesh, jo prej jush. Unë besoj se kjo është një arsye më shumë pse shqiptarët na besojnë ne dhe jo ju. Ne këtu nuk jemi as për të mishëruar një përgjegjësi kolektive në raport me ligjin, as për të mbuluar shkeljen e ligjit të cilitdo prej nesh. Meqenëse në përgjithësi ju i referoheni në mënyrë të vazhdueshme do ju sugjeroja që mos ta harroni që flamurin tuaj, jo Nokën, Flamur përshëndetje, e kam me flamurin udhëheqës të partisë suaj, të qeverisë suaj, të lëvizjes suaj të madhe demokratike, e keni të arkivuar me një vulë sipër “non grata”. Për çfarë? Për korrupsion. Të çfarë natyre? Për korrupsion madhor dhe jo nga KLSH i Leskos, por nga DASH. Këto nuk duhen harruar, as e para, as e dyta. Qeveria nuk lufton këtë apo atë. As opozita nuk është për të luftuar këtë apo atë. Ju vazhdoni dhe luftoni këtë dhe atë dhe do mbeteni aty duke luftuar me njëri-tjetrin. Ju thatë që në vendin tim nuk do të shfrytëzonit dobësitë e mia. Nuk e kuptova mirë, por mbase ka të bëjë me faktin që juve si parti, si opozitë, si kopsht pa drekë, ku di unë çfarë jeni po kaloni një moment të vështirë dhe jeni në një moment dobësie që ne nuk duhet ta shfrytëzojmë. Ju thatë që në vendin tim nuk do e bënit këtë. Kjo nuk është çështje e shfrytëzimit të një momenti dobësie. Nëse jeni të vetëdijshëm në ça momenti jeni, bëni mirë që ta filloni duke e qepur gojën në raport me të tjerët dhe duke u çliruar nga hijet e vetvetes. Nëse vini këtu dhe thoni që shiko jemi në moment të dobët, por ne jemi këtu që t’ju tregojmë se kush jeni ju, do merrni përgjigje. Përsëri vini tek i njëjti gabim. Unë jam një njeri që i respektoj njerëzit dhe faktet. Nuk merrem me llafe, me thashetheme dhe me baltë. Gjyqet e shtrigave i bëni ju. Nuk ka asnjë problem, dhe prandaj jeni viktima të gjyqit më të madh të shtrigave që ka ndodhur në këtë vend pas vitit 1990. Juve po ju ndodh ajo që keni merituar, por prisni, prisni se ka akoma. Nuk keni mbaruar akoma dhe deri në fund e meritoni dhe deri në fund do t’ju ndodhë”, u shpreh Rama.