Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se qeveria e tij “e ka shlyer pjesën e detyrimit që na takon me dëshmorët e 21 janarit”.

“Ka komentatorë që thonë se fajin për vrasjen e protestuesve e kam unë që i thirra. Por, fajtori gjendet njëri në Foltore dhe tjetri pas dyerve të blinduara të SHQUP-it. Këta nuk meritojnë koment dhe unë nuk do i komentoj këto komente. Koment meritojnë ata që thonë se fajin e kam unë që fajtorët e vërtetë vazhdojnë të jenë të lirë. Unë besoj se e kemi shlyer pjesën e detyrimit që na takon me dëshmorët e 21 janarit. E kam fjalën për Reformën në Drejtësi, e cila përgojohet dhe denigrohet përditë nga armiqtë e saj”, deklaroi Rama.

“E ardhmja e drejtësisë nuk është blozë, edhe pse tani nuk është rozë. Partia Socialiste mori përsipër që të vendosë këtë gur themeli në sistemin tonë të drejtësisë. E di që durimi është mall i rrallë në këtë vend, sidomos kur kërkohet drejtësi”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë shtoi: “U vranë 4 protestues paqësorë, në 4 vende të ndryshme, në kohën kur protesta po shpërndahej. Është e vërtetë që protesta degradoi me disa djegie, por larg objektit të rëndësisë së veçantë, Kryeministrisë. Në atë kohë, Kryeministria ishte e rrethuar me gardh dhe dukej si vilë private. Asnjë protestues nuk e kapërceu atë gardh dhe asnjë zjarr nuk e përpiu pemën e famshme pranë derës së Kryeministrisë. Shkurt, asgjë nga ato që më pas ndodhën rëndom përballë Kryeministrisë, kur palët politike ndërruan vendet, nuk ndodhi atë ditë”.