Akuzave të Lulzim Basha për propagandë pas tërmetit, pandemisë dhe përmbytjeve, kryeministri Edi Rama u është përgjigjur përmes një postimi në rrjetet sociale.

Rama thotë se qytetarët e dinë se çfarë ka bërë qeveria pas tërmetit, pas pandemisë dhe pas përmbytjeve. Ndryshe sipas kreut të qeverisë ka vepruar qeveria paraardhëse, ku Rama thotë se njerëzit ishin të detyruar që të linin shtëpitë prej përmbytjeve.

Në fund, Rama e mbyll duke thënë se nuk ka asnjë njeri normal sado i pakënaqur qoftë me qeverinë që t’i besojë Bashës të ardhmen e Shqipërisë.

“Lulëzim! Se çfarë bëra unë pas tërmetit, qytetarët e dinë. Se çfarë bëri e po bën kjo qeveri për përballimin e pandemisë edhe këtë e dinë. E mbajnë mend edhe ç’bëhej deri dje me përmbytjet kur mijëra njerëz linin shtëpitë e me dëborën kur rrugët bëheshin pista skish për makina! Politika me fatkeqësitë është si ajo makina që ngec në rrugë se s’ka zinxhirë për rrotat në rast dëbore dhe s’ka qytetar normal, sado i pakënaqur me qeverinë, që të bëhet rrotë me zinxhir si Andi Bushati, për të të besuar ty rrugën e të ardhmes së Shqipërisë për inat të qeverisë”, shkruan Rama.